MAQEDONIA

Shasivari: Kodi i ri penal në fazën përfundimtare – harmonizimi me BE-në, hapi i radhës

Kosova.Today ·

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, mori pjesë sot në konferencën: “Kodi i ardhshëm Penal dhe lufta kundër korrupsionit: pritshmëritë, risitë dhe harmonizimi me Bashkimin Evropian”, të organizuar në kuadër të Ditëve të Drejtësisë (Journées...

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, mori pjesë sot në konferencën: “Kodi i ardhshëm Penal dhe lufta kundër korrupsionit: pritshmëritë, risitë dhe harmonizimi me Bashkimin Evropian”, të organizuar në kuadër të Ditëve të Drejtësisë (Journées du Droit), me mbështetjen e Ambasadës së Francës, Expertise France-Groupe AFD dhe Institutit për Demokraci „Societas Civilis“-Shkup (IDSCS).
Në konferencë, ministri Shasivari prezantoi aktivitetet dhe prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë për modernizimin e legjislacionit penal dhe forcimin e mekanizmave për luftën kundër korrupsionit.
Shasivari bëri të ditur se Kodi i ri Penal ndodhet në fazën përfundimtare të hartimit, ndërsa po përmbyllet harmonizimi i tij me standardet dhe direktivat më të fundit evropiane. Pas përfundimit të këtij procesi, projekt-teksti do t’i dërgohet Komisionit Evropian për mendim.
“Qytetarët nuk kërkojnë premtime. Ata kërkojnë drejtësi dhe rregulla të barabarta për të gjithë. Pikërisht për këtë arsye, hartimi i një legjislacioni penal bashkëkohor dhe efikas është prioriteti ynë”, theksoi Shasivari.
Gjatë fjalimit të tij, ministri vuri në pah rëndësinë e Direktivës evropiane për luftën kundër korrupsionit, e cila synon harmonizimin e përkufizimeve të veprave penale të korrupsionit, forcimin e sanksioneve, mekanizma më efikasë hetimorë dhe bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar.
Shasivari foli edhe për zbatimin e rekomandimeve të GRECO-s, duke bërë të ditur se janë përgatitur projektligjet për ndryshimin e Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave, si dhe për denoncimin e mbrojtur dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. Paralelisht, Ministria e Drejtësisë po punon për përmirësimin e Ligjit për lobim, me synimin e rritjes së transparencës dhe integritetit në proceset e vendimmarrjes.
“Nuk ka të paprekshëm. Nuk ka standarde të dyfishta. Nuk ka sundim të ligjit nëse ligji është i rreptë për disa, ndërsa tolerant ndaj të tjerëve”, deklaroi ministri, duke theksuar se lufta efikase kundër korrupsionit kërkon gjyqësor të pavarur, prokurori profesionale dhe institucione që veprojnë pa selektivitet.
Ministri Shasivari riafirmoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për vazhdimin e një procesi reformues transparent dhe gjithëpërfshirës, në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë, komunitetin akademik, sektorin civil dhe partnerët ndërkombëtarë.
Konferenca shërbeu si platformë për shkëmbimin e mendimeve mbi të ardhmen e legjislacionit penal, pritshmëritë nga reformat dhe përforcimin e luftës kundër korrupsionit, në funksion të harmonizimit të sistemit juridik të vendit me standardet e Bashkimit Evropian.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Nga sot formularë dhe kode të reja për pagesa, ja çfarë ndryshon për qytetarët

09.11.2026

Autostrada Shkup-Bllacë, si është planifikuar, kush po e realizon dhe deri kur?

09.11.2026

Nafie Selmani godet Saranda Imerin: Populli nuk kullot, deputete! Kullosin ata që ushqehen me taksat e qytetarëve!

07.11.2026

Mexhiti porosi Dimitrievskit: Nëse i pengon shqipja, Kumanovën e ka në dy gjuhë, ta lirojë vendin e kryetarit të komunës

10.11.2026