KOSOVA

SHBA godet fort në OKB: Mbylleni UNMIK-un, koha e tij ka përfunduar dhe nuk ka më vend në Kosovë

Kosova.Today ·

Zëvendëspërfaqësuesja e misionit amerikan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Tammy Bruce, ka deklaruar se progresi afatgjatë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë varet nga Prishtina dhe Beogradi, e jo nga Këshilli i Sigurimit...

Zëvendëspërfaqësuesja e misionit amerikan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Tammy Bruce, ka deklaruar se progresi afatgjatë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë varet nga Prishtina dhe Beogradi, e jo nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku po diskutohet raporti gjashtëmujor i shefit të UNMIK-ut, Bruce u bëri thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje, të ndërmarrin hapa konkretë për ndërtimin e besimit dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog.

Ajo tha se presidenti amerikan, Donald Trump, i admiron të dyja vendet dhe dëshiron paqe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkan.

“Paqja midis Kosovës dhe Serbisë është jo vetëm esenciale. Presidenti Trump admiron të dyja vendet dhe dëshiron paqe, stabilitet dhe prosperitet. Në këtë drejtim, u bëjmë thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje, të bëjnë hapa praktikë drejt ndërtimit të besimit dhe ruajtjes së stabilitetit dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog”, deklaroi Bruce, raporton Klankosova.tv.

Ajo theksoi se progresi afatgjatë duhet të vijë nga vetë Kosova dhe Serbia.

“Progresi afatgjatë do të vijë nga Prishtina dhe Beogradi, e jo nga Këshilli i Sigurimit”, tha ajo.

Bruce kërkoi gjithashtu mbylljen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), duke argumentuar se mandati i tij nuk i përgjigjet më realitetit aktual në vend.

Sipas saj, Kosova e sotme dallon ndjeshëm nga ajo e vitit 1999, ndërsa prania e KFOR-it, Bashkimit Evropian, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe agjencive të tjera të OKB-së ofron mekanizma më të përshtatshëm për kryerjen e detyrave që kanë mbetur në mandatin e UNMIK-ut.

“Ne vëzhgojmë me një mision të tejkaluar. Nuk mund të pretendojmë se misioni ka ndonjë rol të konsiderueshëm në qeverisjen e Kosovës”, tha Bruce.

Ajo e cilësoi UNMIK-un si një mision me shumë staf, por pa paqeruajtës, duke vlerësuar se vazhdimi i tij, pasi e ka përfunduar punën, nuk i ndihmon askujt dhe mund t’i dëmtojë grupet e cenueshme.

Bruce kritikoi edhe pamundësinë e Këshillit të Sigurimit për të rishikuar mandatin e misionit, duke e cilësuar këtë si shenjë të mosfunksionimit të sistemit të OKB-së.

“Paaftësia jonë për të rishikuar mandatin e përhershëm të UNMIK-ut është një shenjë paralajmëruese serioze e mosfunksionimit të sistemit të OKB-së, është paaftësia jonë për të vepruar kur momenti e kërkon veprimin”, deklaroi ajo.

Në përfundim, përfaqësuesja amerikane theksoi se Këshilli i Sigurimit duhet të zgjedhë mes vazhdimit të misionit dhe administrimit më të mirë të burimeve të Kombeve të Bashkuara.

“Koha e këtij misioni ka përfunduar”, përfundoi Bruce.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

S’ka kuorum në Kuvend për rezolutën që kërkon furnizim të pandërprerë me barna esenciale

13.11.2026

Pandeli Majko trondit Asamblenë e PS-së: Kam informacion për 1 mijë orë filmime er’otike dhe korruptive, jepni dorëheqjen

15.11.2026

Kosova ndalon hyrjen e mbi 12 tonë produkte ushqimore të importuara nga Maqedonia, ja cila fabrikë e qumshtit nga Tetova

14.11.2026

Kurti: Herët të flitet për mundësinë e një kapitulli të ri me Serbinë, sa më shpejt që do të na njohin aq më mirë për dy vendet

13.11.2026