JETA

Vdekja e punëtorit të KEK-ut: Ndalohet për 48 orë një person, ja për çfarë dyshohet

Kosova.Today ·

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet A.K., lidhur me vdekjen e punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti, 32-vjeçar. A.K. dyshohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe...

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet A.K., lidhur me vdekjen e punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti, 32-vjeçar.

A.K. dyshohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 358 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas të dhënave fillestare të Prokurorisë, aksidenti ka ndodhur gjatë punës për transportimin dhe zhvendosjen e kabllove 6kV, ku viktima dyshohet se ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda, të cilat kanë rezultuar fatale.

Pas raportimit të rastit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Inspektorati i Punës dhe Inspektorati i Brendshëm i KEK-ut.

Me urdhër të prokurorit kujdestar janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan në vdekjen e punëtorit.

“Në kuadër të veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, është ndaluar një (1) person me inicialet A.K., për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i rastit do t’i shqyrtojë provat dhe rrethanat e mbledhura gjatë hetimit dhe, brenda afatit ligjor, do të ndërmarrë veprimet e mëtejshme, përfshirë edhe mundësinë e kërkesës për caktimin e një mase sigurie ndaj të dyshuarit.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përgjegjësisë eventuale penale janë duke vazhduar.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Shqyrtohen masa për të shkurtuar pritjet në kontrollet e aeroporteve

14.11.2026

Tragjedi në Itali, vdes 47 vjeçari nga Tetova

15.11.2026

A po shpenzoni më tepër pa e ditur? Gabimet që ju rrisin faturën e rrymës gjatë ngrohjes me kondicioner

13.11.2026

SWR: “Pallati i Rinisë”” – Skena e muzikës së re në Kosovë

14.11.2026