Florjan Binaj shpall kandidaturën për Bashkinë e Tiranës: A do ta mbështesë opozita kësaj radhe?
Aktori dhe aktivisti Florjan Binaj ka konfirmuar zyrtarisht kandidimin e tij si i pavarur për kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të 9 majit. Në një deklaratë televizive, Binaj bëri me dije se u ka shtrirë dorën e...
Aktori dhe aktivisti Florjan Binaj ka konfirmuar zyrtarisht kandidimin e tij si i pavarur për kryetar të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të 9 majit.
Në një deklaratë televizive, Binaj bëri me dije se u ka shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjitha forcave opozitare për të krijuar një front të përbashkët. “E konfirmoj pa diskutim kandidimin. I qëndroj asaj që kam thënë në nëntorin e kaluar, kur u anuluan zgjedhjet. Jam kandidat i pavarur që ua kam shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjitha partive të opozitës, për të krijuar një bashkëpunim që ka të njëjtin qëllim, por mënyra të ndryshme”, deklaroi Binaj.
Binaj kishte shpallur kandidaturën edhe më parë förballë Ogerta Manastirliut, pasi kryeministri Edi Rama njoftoi shkarkimin e Erion Veliajt — proces ky që u ndërpre pasi Gjykata Kushtetuese i njohu Veliajt të drejtën për të vijuar detyrën.
Megjithatë, mbështetja e Partisë Demokratike për kandidaturën e tij mbetet e paqartë. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, u shpreh në mbështetje të një emri tjetër brenda forcës politike. “Z. Alimehmeti do të ishte një kandidaturë e shkëlqyer e opozitës për Tiranën. Megjithatë, unë nuk dua të shpall kandidatura nga media, për shkak se, së pari, duhet t’i japim mundësi këtij dialogu dhe këtij konsensusi të gjerë që unë po flas, dhe së dyti, do të duhet t’i japim hapësirën e vet organeve brenda PD-së për caktimin e kandidatëve zyrtarë të PD-së. Por po, z. Alimehmeti është një kandidat që, në vlerësimin tim, do të ishte një ofertë shumë serioze, shumë e mirë, përballë kandidaturës së Ramës në Bashkinë e Tiranës”, deklaroi Bardhi.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.