KOSOVA

Gërvalla: Prokuroria ishte vazhdimisht e informuar për dhunën dhe kërcënimet ndaj Arlindës

Kosova.Today ·

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se edhe Prokuroria ishte e informuar për dhunën dhe kërcënimet ndaj Arlinda Zekajt, ndërsa dokumentet e përfshira në raport tregojnë se për rastin ishin njoftuar vazhdimisht prokurorët përgjegjës...

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se edhe Prokuroria ishte e informuar për dhunën dhe kërcënimet ndaj Arlinda Zekajt, ndërsa dokumentet e përfshira në raport tregojnë se për rastin ishin njoftuar vazhdimisht prokurorët përgjegjës dhe kryeprokurorja e suspenduar.

Në konferencën për media, ku po prezantohet raporti për rastin e vrasjes së Arlindës, Gërvalla tha se në vend që institucionet ta largonin rrezikun nga viktima, asaj i kërkohej të largohej nga rreziku në pronën e saj.

Ajo bëri të ditur edhe për suspendimin e kryeprokurores dhe prokurores përgjegjëse për rastin.

Duke paraqitur kronologjinë e ngjarjeve, Gërvalla tha se më 10 korrik 2026, Arlinda Zekaj kishte raportuar në Policinë e Kosovës dhunën fizike dhe psikologjike nga ish-bashkëshorti i saj.

Sipas saj, Arlinda kishte raportuar edhe kërcënimet, kishte dorëzuar prova për veprimet e dhunshme dhe e kishte informuar Policinë se ish-bashkëshorti posedonte armë me leje.

Gërvalla tha se një tjetër shqetësim i vazhdueshëm i Arlindës ishte pamundësia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakt të rregullt me djalin e saj 12-vjeçar.

Megjithëse ishte bashkëpronare e shtëpisë, sipas ministres, Arlinda kishte raportuar se ish-bashkëshorti dhe familjarë të tij, të cilët qëndronin aty kundër vullnetit të saj, e pengonin të hynte në pronën e saj.

Më 7 shtator, Arlinda Zekaj kishte kërkuar urdhërmbrojtje emergjente nga Gjykata Themelore në Pejë. Po atë ditë, ajo i kishte shkruar gjykatës se kishte frikë për jetën e saj dhe të fëmijës.

“Pra, rreziku ishte raportuar, shprehimisht, dhe ishte i dokumentuar”, deklaroi Gërvalla.

Duke folur për përgjegjësinë e Gjykatës Themelore në Pejë, ministrja tha se raporti ka evidentuar shkelje të afateve ligjore gjatë trajtimit të kërkesës për urdhërmbrojtje emergjente.

Sipas kronologjisë së paraqitur nga ajo, më 7 shtator gjykata e kishte miratuar pjesërisht kërkesën për mbrojtje emergjente, ndërsa më 9 shtator Arlinda e kishte kundërshtuar vendimin, pasi ai nuk përfshinte edhe kujdesin për djalin e saj.

“Një tjetër shqetësim i vazhdueshëm ishte pamundësia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakt të rregullt me djalin e saj, 12-vjeçar”, citohet të ketë thënë Gërvalla.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Kurti i fton avokatët kosovarë në Francë që të punojnë si prokurorë në Kosovë: Do të kisha qenë shumë i interesuar

09.11.2026

Imami shqiptar në Zvicër largohet nga postet pas zbulimit të deklaratës së vitit 2017 kundër Paradës së Krenarisë në Prishtinë

08.11.2026

Era dimër, ky është parashikimi i motit për sot

08.11.2026

Filigrani zë vendin e Deklaratës së Pavarësisë, LDK i reagon Shiroka-Pulës: U zhvendos edhe fotografia e Rugovës

09.11.2026