Iskra Haxhi Vasileva merr drejtimin e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, përpara saj disa raste të bujshme
Iskra Haxhi Vasileva ka marrë zyrtarisht detyrën e shefes së Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Në moshën 43-vjeçare, ajo bëhet drejtuesja më e re e këtij institucioni, pasi bëri...
Iskra Haxhi Vasileva ka marrë zyrtarisht detyrën e shefes së Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Në moshën 43-vjeçare, ajo bëhet drejtuesja më e re e këtij institucioni, pasi bëri betimin para anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve.
Pas marrjes së detyrës, Haxhi Vasileva deklaroi se e konsideron nder emërimin në këtë funksion, por theksoi se ai njëkohësisht e ngarkon me përgjegjësi të madhe.
Emri i saj është bërë i njohur në opinion kryesisht përmes disa rasteve të bujshme që lidhen me korrupsionin e nivelit të lartë.
Ajo është prokurore në rastin e 350 mijë eurove të gjetura te gjyqtari i Apelit, Gjoko Ristov, si dhe në rastin kundër ish-drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Vace Anakiev, i dyshuar për ryshfet. Gjithashtu, udhëheq hetimet ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë së Doganave, Stefan Bogoev, ndërsa ka qenë e përfshirë edhe në rastin kundër ish-kryetarit të Komunës së Novo Sellës, Boro Stojçev, lidhur me çështjen e marihuanës. Ajo ishte prokurore edhe në fillimet e rastit kundër kardiologut Zhan Mitrev.
Në krye të Prokurorisë, Haxhi Vasileva nuk trashëgon vetëm një funksion drejtues, por edhe një sërë lëndësh të hapura dhe çështjesh të ndjeshme që presin përgjigje institucionale.
Ndër temat që kanë ngjallur debat në javët e fundit është edhe hyrja e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut. Kryeprokurori i Shtetit, Nenad Saveski, ka deklaruar shkurt se institucionet po e ndjekin situatën.
E pyetur nga BIRN nëse Prokuroria ka një qëndrim lidhur me këtë çështje, Haxhi Vasileva tha se për momentin nuk mund të përgjigjet pa shqyrtuar paraprakisht materialet përkatëse.
Ajo theksoi se, në rast se paraqiten indicie ose baza më serioze për dyshime, çështja do të ndiqet me vëmendje.
„Nëse kemi gjurmë ose baza më serioze, natyrisht se këto janë tema që ndiqen me kujdes“, deklaroi ajo, duke iu referuar mundësisë së hapjes së lëndëve me iniciativë të Prokurorisë.
Sa i përket bashkëpunimit me Prokurorinë për Krim të Organizuar të Serbisë, ajo tha se bashkëpunimi ndërkombëtar është pjesë e detyrimeve ligjore dhe se me Serbinë ekziston një bashkëpunim i mirë.
Ndërkohë, partitë opozitare kanë kërkuar hapjen e hetimeve edhe për hyrjen e Alta Bankës në vend, si dhe për destinimin dhe shpenzimin e mjeteve të Lotarisë Shtetërore për organizimin e festimeve me rastin e Ditës së Pavarësisë. Deri më tani, të paktën publikisht, nuk ka informacione për veprime konkrete të Prokurorisë lidhur me këto çështje.
Lëndët e vjetra, sfida e parë për drejtuesen e re
Në tavolinën e saj e presin edhe disa lëndë që prej vitesh nuk kanë marrë epilog.
Një ndër to është rasti „Talir“, në të cilin VMRO-DPMNE akuzohet për pastrim parash, ndërsa procesi gjyqësor zvarritet prej gati tetë vitesh pa një vendim përfundimtar.
Sipas BIRN, gjatë këtij viti të gjitha seancat gjyqësore për këtë rast janë shtyrë ose anuluar. Publikimi vë në pikëpyetje edhe angazhimin e prokurores Engellushe Kadriu, e cila e mori lëndën nga Lençe Ristoska, për t’i dhënë më shumë dinamikë procesit.
Një tjetër sfidë janë dy lëndët e hapura lidhur me pretendimet për përgjim të paligjshëm të kryeministrit Hristijan Mickoski. Dyshimet për përgjim u bënë publike nga vetë Mickoski, i cili u referua në informacione nga Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Agjencia për Zbulim.
Njëra nga lëndët është hapur në dhjetor të vitit 2024, por deri më tani në asnjërën nuk është nisur hetim dhe nuk ka persona të dyshuar.
Vëmendje të veçantë kërkon edhe rasti i furnizimit me mazut, i cili shkaktoi reagime të shumta politike. Prokurorja Katerina Kolaroviq fillimisht e hodhi poshtë kallëzimin penal, por prokurori i lartë Jovan Cvetanovski e anuloi vendimin dhe e ktheu lëndën në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Çështja mori edhe dimension politik pas deklaratave publike të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Këto janë vetëm disa nga rastet në të cilat drejtuesja e re do të duhet të dëshmojë nëse prioritetet e saj do të mbeten vetëm premtime programore apo do të shndërrohen në rezultate konkrete.
Në programin me të cilin fitoi këtë pozitë, Haxhi Vasileva ka premtuar procedura më efikase dhe më të shpejta, hetime financiare dhe konfiskim të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, forcim të kapaciteteve institucionale, digjitalizim, si dhe rritje të transparencës dhe besimit të publikut.
Haxhi Vasileva, e cila ushtron detyrën e prokurores që nga viti 2009, në funksionin e ri do të punojë me një ekip prej 11 prokurorësh.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.