Lisian Thaçi, talenti 17-vjeçar i Bayern Munichut që ëndërron Kosovën
Futbolli i Kosovës vazhdon të ketë talente të reja që po ndërtojnë rrugëtimin e tyre në akademitë e klubeve të njohura evropiane. Njëri prej tyre është 17-vjeçari Lisian Thaçi, i cili po zhvillohet në ambientet e Bayern Munichut, një prej...
Futbolli i Kosovës vazhdon të ketë talente të reja që po ndërtojnë rrugëtimin e tyre në akademitë e klubeve të njohura evropiane. Njëri prej tyre është 17-vjeçari Lisian Thaçi, i cili po zhvillohet në ambientet e Bayern Munichut, një prej klubeve më të mëdha të futbollit në Evropë. Në një intervistë për Telegrafin, ai ka rrëfyer rrugëtimin drejt klubit gjerman, përvojën në akademi dhe ëndrrën për të përfaqësuar Kosovën, përcjell albinfo.ch.
Nga Bayern World Squad te akademia e gjigantit gjerman
Rrugëtimi i Thaçit drejt Bayernit nisi në vitin 2025, kur ai u përzgjodh në programin special “Bayern World Squad”. Në këtë program aplikojnë mijëra futbollistë nga e gjithë bota, por vetëm 23 prej tyre arrijnë të pranohen.
Në moshën vetëm 15-vjeçare, pa i mbushur ende 16, Thaçi u bë futbollisti më i ri që kishte marrë pjesë ndonjëherë në këtë program.
“Fillimisht, në vitin 2025 isha pranuar në programin special të Bayernit, World Squad, ku aplikojnë mijëra lojtarë nga e gjithë bota e ku pranohen vetëm 23. Në Bayern World Squad kam qenë lojtari më i ri që ka marrë pjesë ndonjëherë, vetëm 15 vjeç, ende pa i mbushur 16”, ka treguar ai për telegrafin.
Programi zgjati rreth një muaj dhe përfshiu stërvitje të specializuara dhe ndeshje kundër klubeve të ndryshme. Nën drejtimin e ish-sulmuesit të njohur të Bayernit, Roy Makaay, Thaçi pati mundësinë të përfitonte nga përvoja dhe njohuritë e një figure të njohur të futbollit.
Ai beson se pikërisht kjo përvojë krijoi lidhjen e parë të rëndësishme me klubin bavarez.
Në fillim të këtij viti, futbollisti mori lajmin se ishte përzgjedhur për të qenë pjesë e Bayern Global Academy, një tjetër hap i rëndësishëm në zhvillimin e tij.
Përkushtimi dhe dëshira për përmirësim
Duke folur për arsyet që mund të kenë ndikuar në përzgjedhjen e tij, Thaçi veçon konsistencën, përkushtimin dhe dëshirën për t’u përmirësuar vazhdimisht.
Ai thotë se i pëlqen një stil loje i thjeshtë dhe i shpejtë, ndërsa në çdo stërvitje përpiqet të japë maksimumin.
Përvoja në Bayern Munich, sipas tij, dallon dukshëm nga ajo që kishte përjetuar më parë. Gjithçka në akademi zhvillohet me seriozitet të lartë, duke filluar nga respektimi i rregullave deri te intensiteti i stërvitjeve.
“Të them të drejtën, ndryshon në shumë aspekte. Së pari, gjithçka merret shumë seriozisht, rregullat brenda akademisë duhet të respektohen në maksimum dhe stërvitjet janë çdo herë me intensitet të lartë. Të japësh më të mirën nga vetja është standard këtu”, është shprehur ai.
Për momentin, objektivi i tij kryesor është të përfitojë sa më shumë nga kjo mundësi, të mësojë nga trajnerët dhe të zhvillohet në çdo aspekt si futbollist.
Ëndrra për të vazhduar te Bayerni
Thaçi nuk e fsheh dëshirën për ta vazhduar karrierën në Munich dhe për të mbetur pjesë e klubit gjerman edhe në të ardhmen.
Ai thotë se ka krijuar një lidhje të veçantë me Bayernin dhe se klubi po e përkrah në të gjitha aspektet.
“Natyrisht që dëshira ime e madhe është të vazhdoj të qëndroj në Bayern. E dua këtë klub dhe më pëlqen gjithçka në Munich. Mirëpo, të shohim çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Klubi po më përkrah në çdo aspekt”, ka deklaruar futbollisti.
Kosova, ëndrra që qëndron mbi gjithçka
Pavarësisht mundësive që po i ofron një prej klubeve më të mëdha evropiane, Thaçi e ka të qartë se cilën fanellë dëshiron ta veshë në arenën ndërkombëtare.
Përfaqësimi i Kosovës është synimi i tij kryesor, ndërsa shpreson që në të ardhmen të ketë mundësinë të kontribuojë për Kombëtaren dardane.
“Për mua, Kosova është në rend të parë. Çdo lojtar i rritur në Kosovë e ka ëndërr fanellën dardane. Shpresoj që do të mund ta ndihmoj kombëtaren tonë. E pres atë ditë”, ka thënë 17-vjeçari.
Rrugëtimi i Lisian Thaçit në Bayern Munich është ende në fazat e para, por përvoja që po fiton në këtë ambient elitar përbën një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e tij. Ndërsa synon të bëjë hapa të tjerë në karrierën e klubeve, ëndrra për ta përfaqësuar Kosovën mbetet në krye të prioriteteve të tij./Albinfo.ch
The post Lisian Thaçi, talenti 17-vjeçar i Bayern Munichut që ëndërron Kosovën appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.