Njeriu i afërt i Vuçiqit dhe Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviq, largohet drejt Turqisë në kohën e arrestimeve në Serbi
Zvonko Vesellinoviq, biznesmen nga veriu i Kosovës, ka udhëtuar drejt Turqisë në kohën kur në Serbi po zhvillohen arrestime të biznesmenëve dhe zyrtarëve të lidhur me pushtetin e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq. Lajmi është bërë i ditur...
Zvonko Vesellinoviq, biznesmen nga veriu i Kosovës, ka udhëtuar drejt Turqisë në kohën kur në Serbi po zhvillohen arrestime të biznesmenëve dhe zyrtarëve të lidhur me pushtetin e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.
Lajmi është bërë i ditur nga rrjeti hulumtues serb KRIK, i cili raporton se Veselinoviq është nisur herët në mëngjes me një fluturim nga Sarajeva drejt Stambollit, duke përdorur pasaportën serbe.
Sipas burimeve të KRIK-ut, largimi i tij ndodh në një kohë kur autoritetet serbe kanë nisur arrestimin e personave që, gjatë qeverisjes së Partisë Progresive Serbe (SNS), kishin gëzuar pozita të privilegjuara dhe dyshohet se i kishin përdorur lidhjet politike për t’u pasuruar dhe për të vepruar jashtë ligjit.
Veselinoviq konsiderohet si një prej biznesmenëve më të fuqishëm dhe më kontroversë serbë në Kosovë. Sipas raportimeve të mëhershme të KRIK-ut, ai ka pasur lidhje të afërta me njerëz në majat e pushtetit serb, përfshirë Andrej Vuçiqin, vëllain e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.
Hetimet dhe dokumentet e publikuara nga KRIK, përfshirë komunikimet e nxjerra nga aplikacioni i koduar Sky, kanë ngritur dyshime se Veselinoviq kishte ndikim në punësimet në policinë serbe dhe se kompanitë e tij përfitonin miliona euro nga projektet shtetërore.
Dyshime për lidhje me krimin e organizuar
Në raportet e mëhershme të policisë dhe shërbimeve të sigurisë, Veselinoviq është përshkruar si një prej figurave kryesore të krimit të organizuar serb në Kosovë.
Sipas këtyre raporteve, grupi i tij dyshohet se ka qenë i përfshirë në kontrabandë të drogës, armëve dhe naftës, fajde dhe pastrim parash, si dhe në bashkëpunim me grupe kriminale.
Në Serbi, Veselinoviq është përballur ndër vite me akuza për vepra të ndryshme penale, përfshirë trafikimin e drogës, vjedhjen e kamionëve dhe nxjerrjen e paligjshme të rërës.
Një prej dyshimeve më të rënda që lidhen me emrin e tij është përfshirja në vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili u vra në janar të vitit 2018 në Mitrovicën e Veriut.
Prokuroria e Kosovës ka thënë se në këtë rast ishte i përfshirë edhe Milan Radoiçiq, i cili njihet si kumbarë i Veselinoviqit. Të dy kanë pasur mbështetje politike në Serbi, sipas raportimeve të mediave hulumtuese.
Nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe
Veselinoviq është vendosur në listën e sanksioneve të Thesarit amerikan në fund të vitit 2021, nën dyshimet për korrupsion dhe shfrytëzim të lidhjeve me zyrtarë politikë për të mundësuar aktivitetet e tij të paligjshme.
Një vit më vonë, edhe Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj tij.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Veselinoviq kishte vazhduar të gëzonte mbrojtje dhe ndikim në Serbi, ndërsa kompanitë e tij përfitonin kontrata të mëdha nga projektet publike.
Komunikimet e publikuara nga Sky, zbulojnë edhe ndërhyrjet e tij të pretenduara në emërimet në institucionet e sigurisë, përfshirë kundërshtimin e emërimit të Veselin Miliqit në krye të policisë serbe në vitin 2020.
Turqia, strehë për figurat e krimit ballkanik
Sipas KRIK-ut, Turqia është shndërruar gjatë pesë vjetëve të fundit në një nga destinacionet kryesore ku janë strehuar pjesëtarë të grupeve të ndryshme kriminale nga Ballkani.
Në këtë kontekst, mediumi serb përmend edhe figura të njohura të krimit të organizuar ballkanik, të cilat kanë qëndruar ose janë fshehur në Turqi.
Largimi i Veselinoviqit drejt Stambollit vjen në një moment të ndjeshëm për skenën politike dhe të sigurisë në Serbi, ndërsa raportimet për lidhjet e tij me njerëzit më të afërt të Aleksandar Vuçiqit rikthejnë në vëmendje ndikimin e rrjeteve kriminale në institucionet dhe projektet shtetërore të Serbisë.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.