SHQIPERIA

Prodhuesit shqiptarë kundërshtojnë paketën fiskale 2027: Rritja e taksave rrezikon investimet dhe konkurrueshmërinë

Kosova.Today ·

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kundërshton ndryshimet e pritshme në paketën fiskale për vitin 2027, duke kërkuar konsultim me biznesin përpara marrjes së çdo vendimi që prek sipërmarrjen. Në një reagim për mediat, shoqata shpreh shqetësimin...

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kundërshton ndryshimet e pritshme në paketën fiskale për vitin 2027, duke kërkuar konsultim me biznesin përpara marrjes së çdo vendimi që prek sipërmarrjen.

Në një reagim për mediat, shoqata shpreh shqetësimin për propozimet paraprake, të cilat parashikojnë rritjen e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17%, të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, si dhe të TVSH-së së përgjithshme nga 20% në 21%.

Ndryshimet e pritshme përfshijnë edhe rritjen e normës së reduktuar të TVSH-së për turizmin nga 6% në 10%, si dhe uljen e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor, duke nisur nga 1 janari 2027.

Sipas vlerësimeve paraprake të shoqatës, rritja e tatimit mbi fitimin dhe dividendin mund t’i kushtojë bizneseve rreth 85 milionë euro shtesë në vit. Ndërkohë, ulja e pragut të TVSH-së pritet të përfshijë rreth 17 516 tatimpagues të rinj në skemë.

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë paralajmëron se, nëse këto ndryshime konfirmohen, ato mund të ndikojnë drejtpërdrejt në fitimin pas tatimit dhe të kufizojnë fondet që kompanitë përdorin për investime, modernizim dhe rritje të kapaciteteve prodhuese.

Shqetësime ngrihen edhe për ndikimin e mundshëm të rritjes së TVSH-së në çmime dhe marzhet e fitimit, me pasoja për kërkesën dhe konkurrueshmërinë e bizneseve, veçanërisht në sektorin e turizmit.

Për bizneset e vogla që do të përfshihen në skemën e TVSH-së, shoqata vlerëson se do të shtohen detyrimet për deklarim dhe administrim, ndërsa mund të rritet edhe nevoja për likuiditet. Sipas saj, në mungesë të masave efektive kundër informalitetit, rritja e barrës fiskale mbi aktivitetin e deklaruar rrezikon të thellojë konkurrencën e pandershme.

Përballë këtyre zhvillimeve, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kërkon publikimin e propozimeve fiskale dhe analizave të ndikimit, zhvillimin e konsultimeve të strukturuara me komunitetin e biznesit përpara miratimit të ndryshimeve, si dhe krijimin e një periudhe të mjaftueshme për përshtatjen e sipërmarrjeve.

“Zëri i sipërmarrjes duhet të dëgjohet përpara çdo vendimmarrjeje me karakter ekonomik”, thekson shoqata në reagimin e saj.

The post Prodhuesit shqiptarë kundërshtojnë paketën fiskale 2027: Rritja e taksave rrezikon investimet dhe konkurrueshmërinë appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Transferimi i Erion Veliajt, flet drejtoresha e Burgjeve Sadleva Bodo

09.11.2026

Bonusi i bebes, Rama: Nga 1 korriku 2027, për çdo fëmijë të lindur ndihma do jepet për 5 vjet

09.11.2026

43-vjeçari, Gazmir Beqiri kryen dializë tri herë në javë, familja apel për ndihmë

08.11.2026

Reforma Zgjedhore/ PD kërkon ndryshimin e rendit të ditës, i jep afat PS-së të reflektojë deri në orën 11:00

09.11.2026