Rrëzimet në moshën e tretë, shkaku kryesor i paraqitjeve në urgjencë
Rrëzimet përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e të moshuarve, ndërsa mundësia për t’u rrëzuar dhe ashpërsia e dëmtimeve rriten me kalimin e moshës. Në Europë, rrëzimet përbëjnë një shqetësim madhor për shëndetin publik...
Rrëzimet përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e të moshuarve, ndërsa mundësia për t’u rrëzuar dhe ashpërsia e dëmtimeve rriten me kalimin e moshës.
Në Europë, rrëzimet përbëjnë një shqetësim madhor për shëndetin publik. Sipas raportit të publikuar nga Shoqata Evropiane për Parandalimin e Dëmtimeve dhe Promovimin e Sigurisë, EuroSafe, vetëm në vendet e BE rreth 35 mijë persona të moshës mbi 65 vjeç humbasin jetën çdo vit nga rrëzimet.
Rrëzimet identifikohen gjithashtu si shkaku kryesor i paraqitjeve në urgjencë për dëmtime te të moshuarit, duke përbërë 58% të rasteve. Pothuajse gjysma e tyre përfundojnë me fraktura, ndërsa rreth 1në 5 raste shoqërohet me dëmtime në kokë.
Përtej dëmtimeve fizike, rrëzimet mund të shkaktojnë ankth, frikë dhe varësi më të madhe nga familjarët apo nevojën për t’u vendosur në institucione të përkujdesjes për të moshuarit.
Ashpërsia e dëmtimeve rritet me moshën. Sipas raportit, 32% e dëmtimeve nga rrëzimet te personat 65–74 vjeç kërkojnë shtrim në spital. Kjo përqindje rritet në 39% për grupmoshën 75–84 vjeç dhe arrin në 45% te personat mbi 85 vjeç.
Rrëzimet zakonisht, janë rezultat i kombinimit të problemeve fizike, sjelljeve të caktuara dhe kushteve të mjedisit. Ndër faktorët kryesorë përfshihen dobësimi i muskujve, problemet me ekuilibrin, dëmtimi i shikimit ose dëgjimit, sëmundjet kronike dhe përdorimi i disa medikamenteve njëkohësisht. Edhe këpucët e papërshtatshme dhe kufizimi i lëvizjeve për shkak të frikës nga rrëzimi mund të ndikojnë në rritjen e rrezikut.
64% e dëmtimeve nga rrëzimet ndodhin brenda në shtëpi. Më shumë se gjysma e aksidenteve brenda shtëpisë ndodhin në dhomën e ndenjjes ose në dhomën e gjumit, të ndjekura nga banja dhe shkallët.
Sipas ekspertëve programet e synuara të parandalimit mund të ulin me 20–40% numrin e dëmtimeve te grupet me rrezik të lartë.Përmirësimi i forcës muskulore dhe ekuilibrit përmes aktivitetit fizik, veçanërisht programeve të mbikëqyrura nga fizioterapistët, është një nga mënyrat më të rëndësishme të parandalimit.
The post Rrëzimet në moshën e tretë, shkaku kryesor i paraqitjeve në urgjencë appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.