Sebastian Vettel në Cyrih: Sport & Business Network bashkon sportin me biznesin
Në hotelin prestigjioz Dolder në Cyrih u mbajt një mbrëmje e veçantë e «Sport & Business Network» (SBN), ku personalitete të sportit dhe biznesit u bashkuan për të takuar Sebastian Vettel. Pjesë e kësaj mbrëmjeje ishte edhe platforma...
Në hotelin prestigjioz Dolder në Cyrih u mbajt një mbrëmje e veçantë e «Sport & Business Network» (SBN), ku personalitete të sportit dhe biznesit u bashkuan për të takuar Sebastian Vettel. Pjesë e kësaj mbrëmjeje ishte edhe platforma mediale albinfo.ch.
Rrjeti i themeluar nga ish-hendbollisti Besfort Biljali solli në të njëjtën sallë drejtues kompanish, kampionë olimpikë dhe figura të njohura të automobilizmit. I ftuari kryesor, Vettel, tërhoqi vëmendjen me rrëfimet për karrierën dhe jetën përtej pistës.
Vettel rrëfen karrierën dhe lidhjen me Zvicrën
Që prej tërheqjes nga Formula 1 në fund të vitit 2022, pas 299 garave dhe 53 fitoreve, Vettel është shfaqur më rrallë në publik. Në bisedën e moderuar nga Cloé dhe Rainer Maria Salzgeber, ai foli hapur për karrierën, sfidat dhe përvojat që e kanë shoqëruar.
Nuk munguan as momentet e humorit. Vettel kujtoi fillimet te Sauber në Hinwil, kur për rreth një vit i kishte përshëndetur njerëzit me shprehjen “Grüezi mit der Hand”, duke menduar se kjo ishte përshëndetja e zakonshme zvicerane. Vetëm më vonë kishte kuptuar se shprehja e saktë ishte “Grüezi mitenand”.
Ai foli edhe për vështirësitë financiare të fillimit të karrierës. Së bashku me të atin, vizitonte çdo vit një panair automobilistik në Essen, ku kërkonin mbështetje nga një stendë në tjetrën për të siguruar paratë e nevojshme për garat.
Një tjetër moment i rrëfimit ishte ndarja me Ferrarin. Vettel kujtoi telefonatën e vitit 2020 nga drejtuesi i atëhershëm i ekipit, Mattia Binotto, përmes së cilës u njoftua se bashkëpunimi nuk do të vazhdonte.
Emra të njohur të sportit dhe ekonomisë në të njëjtën tryezë
Gjatë mbrëmjes, Vettel ishte ulur pranë themeluesit të SBN-së, Besfort Bilalli. Në mesin e të pranishmëve ishin drejtues dhe sipërmarrës të njohur, si Gzim Hasani nga smzh, Georges Kern nga Breitling, Urs Wietlisbach nga Partners Group, Katharina Göppinger nga IBM, Francisco Fernandez nga Racing Unleashed, dhe Daniel Grieder.
Pjesë e ngjarjes ishte edhe ish-kancelari federal zviceran, Walter Thurnherr, i cili mbajti fjalën hapëse. Nga sporti morën pjesë kampionët olimpikë Dario Cologna dhe Mario Gyr, si dhe ish-trajneri i kombëtares zvicerane të hokejit në akull, Patrick Fischer.
Mbrëmja mblodhi gjithashtu disa figura të lidhura me historinë e Sauberit, përfshirë ish-pilotin Nick Heidfeld, Mattia Binotton, Beat Zehnderin dhe Max Weltin.
108 mijë franga për fondacionin e Vettelit
Një nga momentet kulmore të mbrëmjes ishte ankandi bamirës. Vettel ofroi një kostum të kuq garash të Ferrarit, të cilin e kishte veshur në një nga garat e tij të fundit me ekipin italian.
Kostumi i garave i Sebastian Vettelit u ble për 30 mijë franga nga biznesmeni i njohur shqiptar në Zvicër, Esat Lika, duke kontribuar kështu në mbështetjen e fondacionit të katër herë kampionit të botës në Formula 1.
Së bashku me shitjen e kostumeve të garave të Gabriel Bortoletos dhe Nico Hülkenbergut, si dhe të ardhurat nga tombola, u mblodhën gjithsej 108 mijë franga. E gjithë shuma do t’i dedikohet fondacionit të Vettelit.
SBN?
Është «Sport & Business Network», rrjeti që lidh sportin me biznesin, i themeluar nga ish-hendbollisti Besfort Biljali, 41 vjeç. Personalitetet nga të dyja fushat kanë ardhur në numër të madh. Rreth 350 të pranishëm shijojnë një antrekot të përzgjedhur viçi dhe zhyten në botën e Vettel përmes rrëfimeve të tij.
Fiona Murtaj Foto: 13.11.26: SBN Dinner 2026 im Dolder Grand mit Sebastian Vettel. Lowres Foto: Stefan Bohrer, Zürich, 13.11.26: SBN Dinner 2026 im Dolder Grand mit Sebastian Vettel. Foto: Stefan Bohrer, Zürich, 13.11.26: SBN Dinner 2026 im Dolder Grand mit Sebastian Vettel. Gzim Hasani und Georges Kern Afaristët shqiptaro-zviceranë me ambasadorin e Kosovës në Zvicër, Mentor LatifiThe post Sebastian Vettel në Cyrih: Sport & Business Network bashkon sportin me biznesin appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.