Italia ofron jetesë falas për plot 10 vite – shtëpi pranë detit dhe në fshatra malorë, ja kush mund të aplikojë!
Imagjinoni të zgjoheni në një fshat piktoresk italian, të pini kafenë e mëngjesit me pamje nga malet ose deti dhe ndërkohë të mos paguani qira për plot dhjetë vite. Tingëllon si ëndërr? Në rajonin italian të Kalabrisë kjo po bëhet një...
Imagjinoni të zgjoheni në një fshat piktoresk italian, të pini kafenë e mëngjesit me pamje nga malet ose deti dhe ndërkohë të mos paguani qira për plot dhjetë vite. Tingëllon si ëndërr? Në rajonin italian të Kalabrisë kjo po bëhet një mundësi reale.
Autoritetet italiane kanë nisur një projekt të pazakontë me anë të të cilit ofrojnë jetesë falas në shtëpi dhe apartamente, me qëllim që të tërheqin banorë të rinj në vendbanimet e vogla që prej vitesh përballen me shpërnguljen dhe uljen e numrit të popullsisë.
Në fazën e parë të programit „Ripopola Calabria“, i njohur edhe nën sloganin „Kalabria të dhuron një shtëpi“, në dispozicion janë 50 prona të patundshme në 26 komuna.
Shtëpi falas, por me një kusht të rëndësishëm
Për dallim nga ofertat e njohura italiane për blerjen e shtëpive të braktisura për një çmim simbolik prej një euroje, kësaj radhe të interesuarit nuk duhet as të blejnë pronën dhe as të paguajnë për rinovimin e saj.
Autoritetet rajonale do ta financojnë tërësisht rikonstruktimin, ndërsa kandidatët e përzgjedhur do të fitojnë mundësinë të jetojnë falas në shtëpitë ose apartamentet për një periudhë dhjetëvjeçare.
Megjithatë, pronat nuk do të bëhen pronësi e tyre. Ato do të jepen në shfrytëzim falas, me detyrimin që qiramarrësit e rinj ta regjistrojnë dhe ta mbajnë vendbanimin e tyre në Kalabri gjatë gjithë kësaj periudhe.
Pas skadimit të dhjetë viteve, ekziston mundësia të shqyrtohen zgjidhje shtesë për vazhdimin e qëndrimit ose blerjen e pronës, por kushtet konkrete ende duhen përcaktuar.
Për rikonstruktimin e një prone të patundshme mund të ndahen maksimumi 280.000 euro.
Shtëpi me pamje nga deti, malet dhe fshatrat piktoreskë italianë
Oferta përfshin prona të ndryshme, nga apartamente të vogla deri te shtëpi të gjera familjare.
Ndër to ka një apartament katërdhomësh prej 135 metrash katrorë në vendbanimin mesjetar Torre di Ruggiero, një shtëpi me kopsht dhe pamje nga malet në San Mango d’Aquino, si dhe një pronë prej 85 metrash katrorë në Cessaniti, jo larg plazheve të Detit Tirren.
Në dispozicion janë edhe shtëpi me pamje panoramike, apartamente në lagje tradicionale dhe objekte që do të rikonstruktohen plotësisht para se banorët të vendosen në to.
Megjithatë, banorët e rinj nuk do t’i marrin menjëherë çelësat. Rinovimi duhet të përfundojë para se të fillojë periudha dhjetëvjeçare e shfrytëzimit falas.
Kush mund të aplikojë?
Programi nuk u dedikohet vetëm italianëve. Të drejtë aplikimi kanë edhe shtetasit e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, si dhe shtetasit e vendeve të treta që posedojnë leje të rregullt qëndrimi në Itali.
Kandidatët duhet të jenë të moshës madhore, të kenë jetuar të paktën tre vite jashtë Kalabrisë dhe të zotohen se do të shpërngulen në këtë rajon për dhjetë vite.
Përparësi gjatë përzgjedhjes do të kenë çiftet e reja të martuara, familjet me fëmijë, prindërit e vetmuar, personat që punojnë në distancë (remote), të vetëpunësuarit dhe të kthyerit nga jashtë vendit.
Shtëpitë do të lejohet të përdoren ekskluzivisht për banim, dhe jo për qiradhënie turistike apo veprimtari afariste.
Portali zyrtar: Ripopola Calabria – shtëpi falas dhe aplikimi.
Aplikimi tashmë ka filluar – afati është 18 dhjetori
Të interesuarit mund të dorëzojnë aplikimin elektronik më së voni deri më 18 dhjetor 2026, deri në orën 17:00.
Apliko këtu: Ripopola Calabria
Në platformën zyrtare të programit janë të qasshme fotografi, plane dhe informacione për pronat e ofruara. Çdo kandidat mund të zgjedhë maksimumi tre prona, sipas dëshirave të veta.
Aplikimi kryhet përmes një sistemi të njohur për identifikim elektronik, ndërsa përzgjedhja përfundimtare do të bëhet sipas kritereve të përcaktuara paraprakisht dhe listave publike të renditjes.
Pse Italia dhuron dhjetë vite jetesë falas?
Pas kësaj oferte të pazakontë fshihet një problem serioz demografik. Një numër i madh vendbanimesh të vogla italiane prej dekadash po i humbasin banorët e tyre, ndërsa shtëpitë e braktisura dhe rrugët e zbrazëta po bëhen pamje gjithnjë e më e shpeshtë.
Me projektin e ri, Kalabria po përpiqet t’i gjallërojë këto vendbanime, të tërheqë familje të reja dhe të krijojë mundësi të reja ekonomike.
Ky rajon, i vendosur në jug të Italisë, njihet për detin kristal të pastër, plazhet ranore, malet dhe fshatrat tradicionale. Ndër perlat e tij më të njohura turistike janë Tropea, Pizzo dhe Scilla.
Pikërisht për këtë arsye, për ata që po mendojnë për një fillim të ri larg qyteteve të mëdha, Kalabria ofron një mundësi të pazakontë – dhjetë vite jetë pa qira, në një nga trevat më piktoreske të Italisë.
Por, kushti është i qartë: nuk bëhet fjalë për pushime falas, por për një shpërngulje të vërtetë dhe një jetë të re në Itali.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.