JETA

Pinea Matoshi shpallet aktorja më e mirë e re në një festival prestigjioz të filmit në Gjermani

Kosova.Today ·

Aktorja e re kosovare, Pinea Matoshi, ka fituar Çmimin për Aktoren më të Mirë të Re në edicionin e 75-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Mannheim-Heidelberg në Gjermani, për interpretimin e saj në filmin “Dua”, me regji të Blerta...

Aktorja e re kosovare, Pinea Matoshi, ka fituar Çmimin për Aktoren më të Mirë të Re në edicionin e 75-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Mannheim-Heidelberg në Gjermani, për interpretimin e saj në filmin “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, njofton albinfo.ch.

Ky vlerësim vjen për rolin e saj debutues në aktrim, ku Matoshi portretizon personazhin kryesor, Duan, një vajzë 13-vjeçare që përballet me realitetin e vështirë në Kosovën e fundit të viteve ’90.

Në garën për çmimin “Young Actors Award 2026”, Matoshi ishte e nominuar së bashku me aktoren koreano-jugore Sim Su-bin, për rolin në filmin “The World Before”, me regji të Yoon Dan-bi, dhe aktorin francez Colas Quignard, për interpretimin në filmin “La Gradiva”, të regjisores Marine Atlan.

Festivali e kishte vlerësuar interpretimin e Matoshit që në momentin e nominimit, duke veçuar aftësinë e saj për të përcjellë një gamë të gjerë emocionesh, nga pikëllimi dhe melankolia deri te gjallëria rinore dhe zemërimi.

“Pinea e mishëron në mënyrë autentike një vajzë të re me qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, e cila di të përballet me vështirësitë, pavarësisht ashpërsisë dhe pasigurisë së kushteve në të cilat jeton, madje edhe përkundër përvojave traumatike që ka kaluar”, thuhet në vlerësimin e festivalit.

Përveç trofeut, aktores i takon edhe një shpërblim financiar prej 10 mijë eurosh.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Mannheim-Heidelberg është një prej festivaleve më tradicionale të kinematografisë në Gjermani, me një histori të gjatë në promovimin dhe zbulimin e talenteve të reja. Çmimi për Aktorët e Rinj është ndarë për herë të parë në vitin 2024, me synimin për të vlerësuar interpretimet e jashtëzakonshme të aktorëve të rinj në ngritje.

Ndërkohë, filmi “Dua” i Blerta Bashollit ka vazhduar rrugëtimin ndërkombëtar që nga premiera në Festivalin e Filmit në Cannes, ku u përzgjodh në programin “Semaine de la Critique” dhe fitoi çmimin SACD për skenarin, të ndarë për Bashollin dhe Nicole Borgeat.

Në film, Pinea Matoshi interpreton Duan, një adoleshente që jeton në Prishtinën e fundit të viteve ’90, në një periudhë kur shqiptarët në Kosovë ishin të privuar nga përdorimi i objekteve shkollore publike dhe mësimi zhvillohej në shtëpi-shkolla.

Pas prezantimit në Cannes, filmi është shfaqur edhe në festivale të tjera ndërkombëtare, përfshirë Festivalin e Filmit në Sarajevë, ndërsa është prezantuar në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë.

Ky çmim në Gjermani shënon një tjetër sukses për filmin “Dua” dhe për aktoren e re kosovare, e cila me rolin e saj të parë ka arritur të tërheqë vëmendjen e jurive ndërkombëtare./Albinfo.ch

The post Pinea Matoshi shpallet aktorja më e mirë e re në një festival prestigjioz të filmit në Gjermani appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

Sindikatat kërkojnë pagë minimale prej 5.000 frangash për punonjësit me arsim profesional

13.11.2026

Zvicër: Neuchâteli reformon maturën, gjimnazi do të zgjasë katër vjet

10.11.2026

Zbulohet metodë e re për identifikimin e “drogës së përdhunimit” deri në tri ditë pas konsumimit

12.11.2026

U hap sot në Bernë ekspozita “CHIPS”, një udhëtim në botën e mikroçipave

13.11.2026