KOSOVA

Greva në Infrakos, ndalet qarkullimi i trenave në gjithë Kosovën

Kosova.Today ·

Qarkullimi i trenave në Kosovë është ndërprerë të dielën nga ora 08:00, si pasojë e grevës së punëtorëve të Ndërmarrjes Publike “Infrakos”, të cilët kërkojnë indeksimin e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës. Kryetari i Sindikatës...

Qarkullimi i trenave në Kosovë është ndërprerë të dielën nga ora 08:00, si pasojë e grevës së punëtorëve të Ndërmarrjes Publike “Infrakos”, të cilët kërkojnë indeksimin e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Kryetari i Sindikatës së Infrakos-it, Hysen Nikqi, ka bërë të ditur se greva përfshin gjithë territorin e Kosovës, duke pezulluar edhe qarkullimin e trenave në relacionin Prishtinë–Pejë dhe anasjelltas.

Ai ka theksuar se kjo është faza e parë e grevës, e cila, sipas tij, është organizuar pas mungesës së reagimit nga bordi dhe menaxhmenti ndaj kërkesave të punëtorëve.

“Këshilli Grevist sot e ka paralajmëruar një grevë të cilën kemi fillu sot në orën 08:00 edhe do të përfshijë gjithë territorin e Kosovës. Si pasojë e grevës do të ndalet edhe qarkullimi i trenit në relacionin Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas. Kjo është faza e parë e grevës, nuk kemi dëshiruar me bë me organizu, por kemi qenë të detyruar, sepse para dy javëve kemi mbajtur një protestë paralajmëruese për sensibilizimin e opinionit, bordit, menaxhmentit, qeverisë për kërkesat tona të drejta edhe ligjore. Të cilat deri më sot nuk e ka dhënë asnjë efekt, nuk e kanë dhënë asnjë shenjë që ata janë të gatshëm me lëviz diçka. Edhe kështu që sot kemi filluar grevën, edhe greva është në krejt territorin e Kosovës”, ka deklaruar Nikqi.

Ai ka paralajmëruar se ndërprerja e shërbimeve hekurudhore do të vazhdojë deri në marrjen e një vendimi me shkrim nga bordi për kërkesat e punëtorëve. Sipas tij, kërkesa kryesore është indeksimi i pagave, por punëtorët kërkojnë edhe rritjen e pagesës për shujtë dhe kompensimin retroaktiv për tre muajt e fundit.

“Asnjë shërbim, asnjë qarkullim, as sot, as nesër, por këtë e ndryshon vetëm vendimi i bordit. Nëse ata marrin një vendim edhe ne e kemi një vendim të shkruar, jo vetëm fjalë, atëherë po Këshilli organizohet, e përfundon për këtë grevën…Kërkesë kryesore janë pagat. E para edhe vetmja janë pagat, por kemi edhe kërkesa të tjera si rritjen e shujtës, pagesën në mënyrë retroaktive për tre muajt e fundit, sepse këto i kemi diskutuar me bordin për takimin që kemi… Po, për shkallëzimi i pagave”, ka thënë Nikqi.

Edhe anëtari i sindikatës, Ekrem Tahiri, ka deklaruar se greva është organizuar si pasojë e mosadresimit të kërkesave nga bordi mbikëqyrës dhe drejtuesit e ndërmarrjes.

Ai ka thënë se kërkesat e punëtorëve kanë karakter social, duke veçuar indeksimin e pagave dhe rritjen e kompensimit për ushqim. Sipas tij, pagesa aktuale prej 2.5 eurosh për shujtë është e pamjaftueshme për një punëtor që kryen ndërrim tetëorësh.

“Kjo grevë ka ardhur si pasojë mos dëgjimit nga stafi punëdrejtuese të organizatës, siç është Bordi mbikqyrës, dhe faktorët e tjerë që e menaxhojnë këtë organizatë. Realisht kërkesat tona janë kërkesa të karakterit social të punëtorëve. Ndër kërkesat më kryesore që është indeksimi i pagave të punëtorëve…Ky këshill ka me vazhduar deri në realizim e plotë të kërkesave tona. Përpos indeksimit është rritja e shujtës, marrë parasysh një punëtor sot të vijë të bëjë shërbim në tetë orë këtu dhe me 2 euro e gjysmë ta kalojë një ditë, nuk di sa do të mund të jetë ai njeri tamam në shërbim, se kur është barku i thatë edhe mendja nuk punon”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërkohë, ndërmarrja “Trainkos” ka kërkuar mirëkuptim nga udhëtarët për ndërprerjen e transportit hekurudhor, duke njoftuar se shërbimet do të rikthehen sapo të krijohen kushtet për operim.

Greva ishte paralajmëruar gjatë protestës së 26 tetorit, e mbajtur para stacionit hekurudhor në Fushë-Kosovë.

Përveç indeksimit të pagave, punëtorët e Infrakos-it kërkojnë edhe përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e sigurisë, ndërsa shprehin pakënaqësi për mosplotësimin e kërkesave të tyre nga bordi dhe menaxhmenti i ndërmarrjes.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.

Lexo në faqen e plotë
Të ngjashme

“14.9 milionë euro u blenë rrymë për shtatë ditë”

09.11.2026

Nga Zhegra e Gjilanit në majë të botës së orëve – Rexhep Rexhepi fiton çmimin më të madh ndërkombëtar.

08.11.2026

371 kandidatë hyjnë në test për 34 pozita të prokurorëve të rinj, 10 vende të rezervuara për komunitetin serb

07.11.2026

Zbulohet identiteti i autorit të sulmit në Poloni ku u vranë 6 persona u plagosën 15, dalin fotografitë e tij

07.11.2026