Rama: Drejtësia godet edhe brenda pushtetit, kjo është prova e pavarësisë së saj
Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur pavarësinë e organeve të drejtësisë, duke vënë theksin te fakti se ato po hetojnë dhe godasin edhe brenda radhëve të vetë pushtetit politik.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se lufta kundër korrupsionit nuk bëhet duke u zhytur në të, por duke krijuar institucione të pavarura që e luftojnë atë deri në nivelet më të larta të politikës.
“Shqiptarët janë mjaft të mençur ta kuptojnë se fakti që sot dhe prej kaq vitesh ka organe të pavarura drejtësie që godasin këtu brenda është rrjedhojë e së vërtetës së madhe se këtu është garancia e paprekshmërisë së pavarësisë së drejtësisë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë e paraqiti faktin që drejtësia vepron edhe ndaj zyrtarëve brenda pushtetit si dëshmi të pavarësisë së institucioneve, duke kundërshtuar kritikat që, sipas tij, hidhen në hapësirën publike.
Rama hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se qeveria u mbyll gojën kritikëve, duke sjellë edhe një shifër për përmbajtjen që prodhohet çdo ditë në Shqipëri.
“Ky vend, jo sot, por prej vitesh, është një vend që prodhon në ditë 60% përmbajtje kundër qeverisë, 30% përmbajtje neutrale dhe 10% përmbajtje pro qeverisë”, deklaroi kryeministri.
The post Rama: Drejtësia godet edhe brenda pushtetit, kjo është prova e pavarësisë së saj appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.