“Për Kosovën Republikë”, një libër me dëshmi të historisë dhe qëndresës shqiptare

  • Ndaje
“Për Kosovën Republikë”, një libër me dëshmi të historisë dhe qëndresës shqiptare

Në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, të dielën që shkoi u mbajt promovimi i librit “Për Kosovën Republikë”, të autorit Enver Dugolli.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues diplomatikë, veprimtarë politikë e kombëtarë, shkrimtarë, mysafirë nga Kosova dhe shumë bashkatdhetarë të tjerë. Promovimi u zhvillua në një atmosferë përkushtimi ndaj historisë, kujtesës dhe përvojave të njerëzve që kanë kontribuar në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.

Takimin e moderoi Bujar Salihu, poet, i cili udhëhoqi gjithë rrjedhën e promovimit me përkushtim. Ai po ashtu gjatë mbrëmjes solli dhe me emocion të veçantë këndvështrimin e tij ndaj librit.

Fjalën përshëndetëse në emër të nikoqirit e kishte konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha. Një fjalim u prezantua edhe nga znj. Shukrie Ramadani, Zëvendës Ambasadore e Republikës së Kosovës në Bernë.

Në këtë promovim, me fjalën e tij kontribuoi edhe veprimtari dhe mysafiri i mbrëmjes nga Kosova, Shemsi Syla, i cili vlerësoi lartë veprën e Enver Dugollit. “Në këtë libër gjendet nga një pjesë e ngjashme e jetës së secilit prej neve, të burgosurve politikë”, u shpreh veç tjerash z. Syla.

Shkrimtari dhe veprimtari Muharrem Blakaj, vlerësoi po ashtu veprën e z. Dugolli jo vetëm për përmbajtjen por edhe për stilin e shkrimit që ka përdorur autori.

Më pas, folën edhe veprimtarët dhe ish të burgosurit politikë, Xun Çetta dhe veprimtari Fatmir Salihu.

Një takim mes dëshmitarëve të historisë dhe brezave të rinj

Gjatë aktivitetit u lexua edhe një telegram përshëndetës i dërguar nga z. Sali Sefa, veprimtar dhe ish konsull i Kosovës në Cyrih. Përmes kësaj letre u përçua një homazh për jetën dhe idealet atdhetare te rinisë së viteve 80-të, ideale këto “që bëheshin dritë mbi çdo rrugë drejt lirisë se popullit të Kosovës”. Të pranishëm në sallë ishin edhe shumë bashkudhëtarë të ngjarjeve dhe zhvillimeve historike të Lëvizjes për Kosovën Republikë, përfshirë ish-veprimtarë të angazhuar në organizimet studentore dhe politike të asaj kohe.

Mes tyre kishte edhe ish-të burgosur politikë, të cilët, pas përndjekjeve dhe vuajtjeve në Kosovë, kishin emigruar dhe kishin gjetur strehim në Zvicër.

Fjala e Enver Dugollit në sallë solli zërin e tyre rinor. Ai e përshkruan botimin e kësaj vepre si një rrugë të domosdoshme për brezat qe do të vijnë pikërisht siç ishte e domosdoshme kryengritja studentore dhe gjithë popullore për Kosovën Republikë. Prania e tyre i dha promovimit një dimension të veçantë njerëzor dhe historik. Për shumë prej tyre, libri nuk përfaqëson vetëm një dëshmi të shkruar, por edhe një rikthim në përvojat personale, sakrificat dhe rrugëtimin e përbashkët për Kosovën Republikë.

Pas 45 vitesh, një ritakim në mes të lotëve: Dëshmia emocionuese e Fatmir Salihut për Enver Dugollin

Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte dëshmia e veprimtarit dhe ish të burgosurit politik, Fatmir Salihu, i cili, pas plot 45 vitesh u takua sërish me autorin e librit, Enver Dugolli. Rrëfimi i tij, i përcjellë me zë të dridhur dhe mes lotësh, solli në sallë një heshtje të thellë dhe emocione të papërshkrueshme.

Fatmir Salihu riktheu kujtimet e njohjes së tij me Enver Dugollin në burgun e Gjilanit, në një periudhë kur të dy përjetonin realitetin e rëndë të burgosjes politike.

Ai kujtoi dhomën e burgut të mbushur me të burgosur shqiptarë, ku kushtet ishin jashtëzakonisht të vështira dhe hapësira tejet e kufizuar. Enver Dugolli, në atë kohë vetëm 18-vjeçar, ishte ndër të burgosurit më të rinj. Salihu tregoi me dhimbje se sa e rëndë ishte të shihje një djalosh në atë moshë të gjendej prapa grilave.

Por, përtej moshës së tij të re, Enveri kishte spikatur për zemërgjerësinë, shpirtin e pastër dhe kujdesin e veçantë që tregonte ndaj shokëve të dhomës. Mes emocionesh dhe lotësh, Fatmir Salihu rrëfeu një episod që kishte mbetur i gdhendur në kujtesën e tij për më shumë se katër dekada. Dhoma e burgut kishte vetëm gjashtë shtretër, ndërsa aty ishin të vendosur tetë të burgosur.

Në momentin kur Fatmiri ishte burgosur dhe kishte ardhur në atë dhomë, Enver Dugolli kishte vendosur t’ia lëshonte shtratin e tij. Vetë Enveri kishte fjetur në dyshemenë e ftohtë prej betoni për dy muaj rresht, i mbështjellë vetëm me një batanije.

Ky gjest, i treguar pas 45 vitesh nga njeriu që e kishte përjetuar drejtpërdrejt, zbuloi një dimension të veçantë të karakterit të Enver Dugollit: solidaritetin, humanizmin dhe kujdesin për tjetrin, edhe në kushtet më të vështira.

Në sallë mbretëroi heshtja. Fjalët e Fatmir Salihut nuk ishin thjesht kujtime nga një e kaluar e dhimbshme, por një dëshmi e gjallë e miqësisë dhe solidaritetit që lindën në rrethana të jashtëzakonshme.

Ribashkimi i dy ish-të burgosurve pas 45 vitesh, pikërisht në një mbrëmje kushtuar librit “Për Kosovën Republikë”, i dha këtij promovimi një kuptim shumë më të thellë se një aktivitet i zakonshëm letrar. Ishte një rikthim te kujtesa, te vuajtjet e përbashkëta dhe te gjestet njerëzore që as koha dhe as vitet e ndarjes nuk mund t’i fshijnë.

Libri si dëshmi dhe kujtesë historike

Përtej promovimit të një vepre, takimi shërbeu si hapësirë reflektimi dhe bashkëbisedimi mbi historinë politike e kombëtare të Kosovës, përvojat e qëndresës dhe rëndësinë e dokumentimit të tyre.

Autori, Enver Dugolli, përmes librit “Për Kosovën Republikë”, sjell në vëmendje përvoja dhe dëshmi që lidhen me angazhimin për Republikën e Kosovës dhe rrugëtimin historik të popullit shqiptar.

Një pjesë e rëndësishme e mbrëmjes ishte edhe diskutimi me publikun. Në sesionin e pyetjeve dhe përgjigjeve ku morën pjesë Behxhet Gashi, Ibish Neziri, Gjokë Paloka dhe pjesëmarrës të tjerë kishte njëkohësisht jo vetëm emocion por edhe një “dëshirë të fshehur” që të flitet më shumë për rrugëtimin e një gjenerate që kishte sakrifikuar rininë për lirinë.

Fjala e studentes Hana Syla ishte një moment që dëshmoi rëndësinë e përfshirjes së brezit të ri në debatet mbi historinë dhe kujtesën kombëtare edhe pse fatkeqësisht në sallë prania e tyre ishte e vogël.

Në përfundim, pjesëmarrësve iu shpërnda libri “Për Kosovën Republikë” me autografin e autorit ndërsa mbrëmja vazhdoi me një koktej dhe bashkëbisedime mes autorit dhe të pranishmëve.

Promovimi në Cyrih ishte një tjetër mundësi për të mbajtur gjallë kujtesën historike të Kosovës në mërgatë dhe për t’u dhënë hapësirë dëshmive të njerëzve që kanë qenë pjesë e proceseve historike për Republikën e Kosovës.

The post “Për Kosovën Republikë”, një libër me dëshmi të historisë dhe qëndresës shqiptare appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.


0 lexime 0 sot