Mexhiti i reagon BDI-së: Mos e keqpërdorni Badinterin për ta bllokuar Jurisprudencën në shqip!

  • Ndaje
Mexhiti i reagon BDI-së: Mos e keqpërdorni Badinterin për ta bllokuar Jurisprudencën në shqip!

Izet Mexhiti i ka bërë thirrje Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) që të mos e përdorë parimin e Badinterit për të bllokuar në Kuvend Ligjin për provimin e jurisprudencës, duke vlerësuar se një veprim i tillë do të përbënte keqpërdorim të një mekanizmi kushtetues të krijuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

Në reagimin e tij publik, të titulluar “Mos e keqpërdorni Badinterin kundër interesave të shqiptarëve!”, Mexhiti akuzon BDI-në se po kërcënon me bllokimin e ligjit për interesa partiake. “BDI sot me krekosje po kërcënon se do ta bllokojë Ligjin për provimin e jurisprudencës në Parlament duke keqpërdorur Badinterin – parimin kushtetues i cili është ndërtuar si mekanizëm që duhet të mbrojë shqiptarët nga majorizimi”, thekson Mexhiti.

Postimi i plotë i Izet Mexhitit:

MOS E KEQPËRDORNI BADINTERIN KUNDËR INTERESAVE TË SHQIPTARËVE!

BDI sot me krekosje po kërcënon se do ta bllokojë Ligjin për provimin e jurisprudencës në Parlament duke keqpërdorur Badinterin – parimin kushtetues, i cili është ndërtuar si mekanizëm që duhet të mbrojë shqiptarët nga majorizimi.

Por, parimi i Badinterit është rezultat i negociatave për Marrëveshjen e Ohrit. Palë negociuese në atë proces nuk kanë qenë partitë politike, por kanë qenë shqiptarët dhe maqedonasit. Prandaj:

Parimi i Badinterit nuk është mekanizëm i ndërtuar që shqiptari ta bllokojë shqiptarin;
Badinteri nuk është instrument për gara partiake mes partive shqiptare;
Votimi i dyfishtë u bë mekanizëm kushtetues që t’i mbrojë shqiptarët nga majorizimi, jo të majorizojë disa shqiptarë nga shqiptarë të tjerë;
Keqpërdorimi i Badinterit sot për interesa partiake rrezikon të prodhojë domino efekt nesër, kur secili subjekt partiak mund të kujtohet që të gjejë forma për ta manipuluar votimin e dyfishtë dhe për të mbivotuar shqiptarët.

Pra, Badinteri nuk guxon të keqpërdoret nga opozita shqiptare si instrument bllokues kundër një ligji që avancon të drejtat e shqiptarëve dhe që, për herë të parë në historinë e vendit, u mundëson studentëve shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.