AUV ndalon prodhimin e suxhukut të BUQUKU-t, gjendet ADN e pulës në produktin që deklarohej me mish lope
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar ndalimin e prodhimit dhe shpërndarjes së suxhukut nga kompania BUQUKU SH.P.K. në Pejë, pasi në produktin “Suxhuk shtëpiak” është identifikuar ADN e pulës, ndonëse në deklaracion figuronin vetëm mishi dhe yndyra e lopës.
Sipas njoftimit të AUV-së, mostra është marrë nga inspektorët dhe është analizuar në laboratorin ALIMENTI-OMNILAB në Bullgari. Rezultatet kanë konfirmuar praninë e ADN-së së gjedhit dhe të pulës.
Agjencia ka sqaruar se analiza konfirmon praninë e ADN-së së pulës, por nuk përcakton llojin, sasinë apo burimin e materialit të përdorur. Për këtë arsye, verifikimet do të vazhdojnë për të përcaktuar nëse është përdorur mish pule i ndarë mekanikisht apo përbërës të tjerë me origjinë nga pula.
Pas pranimit të rezultateve laboratorike, inspektorët kanë kryer kontroll zyrtar te kompania, ku kanë bllokuar gjithsej 178 kilogramë produkte.
Prej tyre, 120 kilogramë janë suxhuk “Kalorik”, ndërsa 58 kilogramë suxhuk shtëpiak. Po ashtu, është urdhëruar ndalimi i prodhimit të suxhukut dhe tërheqja e produkteve nga pikat e shpërndarjes.
AUV ka bërë të ditur se do t’i zgjerojë kontrollet për të verifikuar përbërjen e të gjitha produkteve të mishit të këtij operatori, prejardhjen dhe gjurmueshmërinë e lëndëve të para, procesin e prodhimit, kushtet e ruajtjes dhe përputhshmërinë e produkteve me deklaracionet.
Në kuadër të kontrolleve do të shqyrtohen edhe dokumentacioni i furnizimit, regjistrat e prodhimit dhe kushtet e fermentimit, tharjes dhe trajtimit termik, si dhe do të realizohen analiza të tjera laboratorike.
Megjithatë, AUV ka theksuar se gjetja laboratorike i referohet vetëm produktit “Suxhuk shtëpiak” të testuar dhe nuk nënkupton se e njëjta mospërputhje është konstatuar edhe në produktet e tjera të kompanisë.
Sipas Agjencisë, operatorët ekonomikë janë përgjegjës për deklarimin e saktë të përbërjes, gjurmueshmërinë dhe respektimin e kërkesave për sigurinë ushqimore.
AUV ka bërë të ditur se do të ndërmarrë masat përkatëse administrative dhe inspektuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa ka ritheksuar se konsumatorët kanë të drejtë të informohen saktë për përbërjen dhe sigurinë e produkteve që blejnë.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.