Përplasja për strehimin social, opozita: Propagandë elektorale çmimi është tre herë më i lartë, Ibrahimaj: Duam të fusim instrumente të reja

  • Ndaje
Përplasja për strehimin social, opozita: Propagandë elektorale çmimi është tre herë më i lartë, Ibrahimaj: Duam të fusim instrumente të reja

Projektligji për strehimin social të përballueshëm ka përplasur deputetët e opozitës me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë diskutimeve në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.

Deputetët e opozitës Klodiana Capja dhe Redi Muçi shprehën rezerva për nismën e qeverisë, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e politikave të strehimit dhe mundësinë reale të qytetarëve për të përballuar blerjen e një banese, në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve të apartamenteve.

Gjatë diskutimeve, deputetja Klodiana Capja e cilësoi projektligjin një nismë me prapavijë propagandistike, duke argumentuar se qeveria po rikthehet te politikat sociale në prag të vitit elektoral.

“Në prag të vitit elektoral qeveria kujtohet për politika sociale. Çdo i ri në shesh që proteston nuk ka asnjë mundësi të blejë një banesë. E gjithë kjo më duket se është në kuadër të propagandës”, u shpreh Capja.

Ajo kritikoi gjithashtu zbatimin e programeve të mëparshme të strehimit social, duke pretenduar se në qarkun e Elbasanit përfitues të banesave kanë qenë militantë dhe eksponentë të Partisë Socialiste. Sipas saj, masat e parashikuara në projektligjin e ri duhet të shoqërohen me garanci konkrete për zbatimin e tyre dhe jo të mbeten vetëm në dokumente.

Edhe deputeti Redi Muçi e konsideroi strehimin një prej problemeve më të mprehta sociale në vend. Ai u ndal veçanërisht te hendeku mes rritjes së pagave dhe çmimeve të apartamenteve në Tiranë, duke deklaruar se këto të fundit janë rritur tri herë më shumë.

“Që kur keni ardhur ju në pushtet, kemi parë që raporti i rritjes së pagave me çmimin e apartamenteve në Tiranë është 1 me 3. Vetë sektori i ndërtimit po shkon drejt një flluske ekonomike që do të plasë, që mbahet në këmbë falë parave që vijnë nga pastrimi i parave të drogës. Këtë e vërtetojnë dosjet e SPAK-ut”, deklaroi Muçi.

Ai ngriti shqetësimin për ndikimin që ka kriza e strehimit te shtresa e mesme dhe paralajmëroi se do të paraqesë amendamente për projektligjin gjatë diskutimit në seancë plenare.

Pjesëmarrja e dy deputetëve të opozitës në mbledhje u komentua edhe nga kryetarja e komisionit, Anila Denaj. Ajo u shpreh se fillimisht kishte menduar se opozita nuk do të merrte pjesë në diskutime, ndërsa i kërkoi Capjas të paraqiste propozimet konkrete për ndryshimin e nismës.

Në përgjigje, deputetja shpjegoi se kishte vendosur të ishte e pranishme pavarësisht bojkotit të disa kolegëve të saj, për shkak të rëndësisë së çështjes për studentët dhe të rinjtë që protestojnë për pamundësinë për të siguruar një banesë.

“Unë, sikurse e kanë bojkotuar shumë kolegë të mi komisionin, do ta bojkotoja, por meqë kjo çështje lidhet me një problem të madh të protestuesve, siç janë studentët, erdha dhe mora pjesë këtu për të sjellë zërin e atyre qytetarëve që në çdo mikrofon thonë se është bërë e pamundur të blesh një shtëpi në Tiranë, të marrësh një shtëpi në Tiranë. Për të sjellë zërin e tyre erdha në komision”, deklaroi Capja.

Ajo sqaroi se amendamentet do të përgatiten gjatë procesit të shqyrtimit të projektligjit. Denaj, nga ana tjetër, theksoi se komisioni ishte mbledhur pikërisht për diskutimin nen për nen të nismës dhe shqyrtimin e propozimeve për ndryshime.

Ministrja Delina Ibrahimaj mbrojti projektligjin, duke argumentuar se ai synon të sjellë instrumente të reja për t’iu përgjigjur ndryshimeve të tregut të banesave dhe nevojave të qytetarëve.

“Nuk dëgjova asnjë propozim. Propozimet nuk vijnë si pasojë e dështimit. Qëllimi është të fusim instrumente të reja, jo të hedhim poshtë një projektligj të suksesshëm”, u shpreh ministrja.

Çfarë parashikon projektligji?

Nisma për strehimin social të përballueshëm parashikon zgjerimin e mekanizmave të mbështetjes për qytetarët që kanë vështirësi për të siguruar një banesë. Ndër instrumentet e propozuara janë kreditë me interes zero, kompensimi i qirasë dhe transformimi i Entit Kombëtar të Banesave në një shoqëri aksionare.

Projektligji synon të krijojë mekanizma të rinj për përballimin e kostove të strehimit, ndërsa gjatë shqyrtimit në komision u ngritën pikëpyetje mbi efektivitetin e tyre dhe mundësinë që këto masa të ndikojnë realisht në përballueshmërinë e banesave, veçanërisht për të rinjtë dhe familjet me të ardhura mesatare.

The post Përplasja për strehimin social, opozita: Propagandë elektorale çmimi është tre herë më i lartë, Ibrahimaj: Duam të fusim instrumente të reja appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.