Sot pritet të votohet Ligji për Specialen, amendamentimi nis të hënën – kjo është procedura që pritet të ndiqet

  • Ndaje
Sot pritet të votohet Ligji për Specialen, amendamentimi nis të hënën – kjo është procedura që pritet të ndiqet

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë arritur ujdi për procedurën që duhet ndjekur në ndryshimin e Ligjit per Dhomat e Specializuara, pavarësisht pajtueshmërisë për t’i bërë disa ndryshime në ligj.

Ligji u kthye në Kuvend nga Presidentja Justina Shiroka Pula, me kërkesë të PDK’së, duke shkaktuar një situatë të paqartë se si të veprohet tutje.

Juristët kanë qenë të ndarë se si të vepropet me ligjin – nëse mund të bëhen ndryshimet në Komision për Legjislacion e pastaj të votohet në seance apo të votohet rrëzimi i vendimit të Presidentes për kthimin e ligjit, e pastaj të vazhdohen procedurat e amandamentimit të tij.

Burime të Gazetës Express thonë se LVV dhe PDK janë pajtuar për opsionin e dytë.

“Sot ligji kalon nga Komisioni në seancë plenare ku votohet për rrëzimin e vendimit të Presidentes, e që i bie automomatikisht ligji hyn ne fuqi sot”, tha një zyrtar i lartë në kushte anonimiteti për Gazetën Express.

I njëjti tha se LVV dhe PDK, pastaj, qysh nga e hëna do të nisin procedurën e amendamentimit të ligjit.

“Do të kete sot një premtim publik se ligji do të amandamentohet menjëherë, e menjëherë nënkupton të hënën e ardhshme”, tha zyrtari që foli per Express.

Pra, Kuvendi pritet ta kalojë në fuqi ligjin në formën ekzistuese, përpara se të nisë procedurën për amendamentimin e tij.

Sipas nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.

Kështu, Presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë të njëjtin ligj. Nëse Kuvendi e miraton sërish me shumicën e të gjithë deputetëve, vendimi i saj për kthimin e ligjit tejkalohet.

Një ligj hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse me vetë ligjin është përcaktuar ndryshe.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.