Reshjet intensive shkaktojnë vërshime në Malësi të Madhe, bllokohet aksi Theth–Ndërlysaj
Reshjet intensive të shiut dhe rritja e prurjeve të lumenjve malorë kanë shkaktuar vërshime në disa zona të Thethit dhe Malësisë së Madhe, duke vështirësuar qarkullimin.
Sipas përditësimit, situata në Theth po shkon drejt normalizimit, ndërsa aksi Theth–Ndërlysaj vijon të jetë i bllokuar. Ndërkohë, në bashkitë Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika. Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura.
Njoftimi i plotë:
13 nëntor 2026 | Ora 18:00
Gjatë ditës së sotme, reshjet intensive në zonat malore dhe rritja e menjëhershme e prurjeve të përrenjve dhe lumenjve malorë kanë shkaktuar vërshime të rrëmbyeshme në disa zona të Thethit dhe në Malësi të Madhe.
Bashkia Shkodër
Aktualisht, situata në zonën e Thethit paraqitet drejt normalizimit, ndërsa reshjet e shiut kanë vijuar me intensitet të ulët deri mesatar.
Sa i përket infrastrukturës rrugore:
-Ura mbi Përroin e Shëut në Theth rezulton e dëmtuar
-Aksi rrugor Theth–Ndërlysaj vijon të jetë i bllokuar për shkak të rënies së materialeve inerte në trupin e rrugës.
Mjetet dhe ekipet e Bashkisë Shkodër ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e akseve rrugore Theth–Ndërlysaj dhe Prekal–Theth, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit dhe garantimin e sigurisë së lëvizjes.
U bëjmë apel banorëve dhe të gjithë përdoruesve të këtyre akseve të shmangin lëvizjet dhe të udhëtojnë vetëm në raste emergjente, duke respektuar udhëzimet e strukturave përgjegjëse në terren.
Bashkia Malësi e Madhe
Në fshatin Preknicaj, Nj.A Shkrel, si pasojë e rritjes së prurjeve të lumit, është konstatuar prani e ujit në rrugën që lidh katër familje me aksin kryesor, duke vështirësuar kalimin.
Nuk raportohet prani e ujit në banesa.
Në Bashkitë Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme, pa problematika apo emergjenca të raportuara.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, së bashku me strukturat përgjegjëse të mbrojtjes civile, është në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe në gatishmëri për çdo rast emergjence.
U bëjmë apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar.
Për çdo problematikë, kontaktoni Emergjencat Civile dhe ndiqni njoftimet zyrtare.
The post Reshjet intensive shkaktojnë vërshime në Malësi të Madhe, bllokohet aksi Theth–Ndërlysaj appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.