Tjetërsuan pronën e një personi, gjykata cakton masë “Arrest me burg” për 3 zyrtarët e Kadastrës Fier dhe noteres
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar këtë të premte masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tre zyrtarëve të Kadastrës Fier dhe një notereje, të dyshuar për tjetërsimin e pronës së një shtetasi, duke e kaluar atë në pronësi private.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, masa “Arrest me burg” u caktua ndaj personave nën hetim D.Sh, A.V., F.B. dhe A.H. Ndërkohë, ndaj A.J. u caktuan masat e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u caktua masa e sigurimit ‘Arrest në burg’ ndaj shtetasve nën hetim, D.Sh., A.V., F.B. dhe A.H., si dhe masat personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga nenet 233 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim A.J., nën akuzë për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 143, 186, 248 dhe 287, të Kodit Penal. Gjithashtu u vendos sekuestro mbi pasurinë e llojit “Arë”, me sipërfaqe 44.100 m².
Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 1730, datë 29.09.2026, të regjistruar në bazë të kallëzimit të shtetasit A.P., referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, i cili ka pretenduar se një sipërfaqe toke arë, në fshatin Povelçë, Fier, ishte tjetërsuar në emër të familjes së tij, pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tij, nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit ekziston dyshimi i arsyeshëm se pasuria e llojit “Arë”, me sipërfaqe 44.100 m², e regjistruar në Librin e Ngastrave në pronësi të shtetit, është kaluar në pronësi private nëpërmjet një zinxhiri aktesh me përmbajtje të rreme.
Konkretisht, për kalimin e pronësisë dyshohet se janë përdorur: – një certifikatë për vërtetim pronësie me datë lëshimi 2007, që ka dyshime të bazuar në prova se është e falsifikuar; – një kartelë pasurie, e cila nuk pasqyron asnjë titull pronësie dhe mbart ndërhyrje fizike, mbishkrime dhe fshirje; – si dhe dy prokura noteriale, të cilat vërtetojnë paraqitjen personale të të përfaqësuarve para noteres, ndërkohë që nënshkrimet ishin marrë mbi fletë të bardha, pa përmbajtje, ndërsa njëra prej të përfaqësuarave, në datën e hartimit të prokurës, ndodhej jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Mekanizmi i kryerjes së veprës penale dyshohet se ka konsistuar në regjistrimin e pasurisë shtetërore në emër të shtetasit A.P., duke përdorur referencat e regjistrimit të një pasurie tjetër të tij. Shtetasi A.P. është pajisur me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi për një sipërfaqe totale prej 25.800 m², e cila përfshin ngastra të tjera, dhe për njërën prej tyre, me sipërfaqe 4.000 m², është pajisur me certifikatë pronësie në vitin 2007. Pikërisht referencat e regjistrimit të kësaj pasurie, si dhe data e lëshimit të certifikatës së saj, janë përdorur për të pasqyruar në regjistrat kadastralë pasurinë me sipërfaqe 44.100 m² në pronësi të shtetasit A.P., ndonëse për këtë sipërfaqe nuk ekziston asnjë titull pronësie në emër të tij dhe në dosjen e regjistrimit nuk gjendet asnjë aplikim për të.
Kartela e rifreskuar e pasurisë dhe fragmenti i hartës kadastrale janë lëshuar nga Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier më 25.01.2023, pesë ditë përpara lidhjes së kontratës së shitjes. Në këtë mënyrë, pasuria në pronësi të shtetit është paraqitur si pronë private e familjes së shtetasit A.P., me qëllim tjetërsimin e saj të mëtejshëm.
Pas regjistrimit në emër të shtetasit A.P., pasuria u është tjetërsuar personave të tretë, të cilët e kanë blerë me qëllim ndërtimin e një parku fotovoltaik. Sipas provave të administruara, personi nën hetim D.SH., në cilësinë e përfaqësuesit me prokurë të familjes së “shitësit”, ka gjetur blerësin, ka përcaktuar çmimin e shitjes dhe ka nënshkruar kontratën në emër të shitësve, pa dijeninë e tyre.
Me kontratën e shitjes, datë 30.01.2023, pasuria është tjetërsuar kundrejt çmimit prej 88.200 Euro, ndërkohë që dyshohet se kjo vlerë nuk pasqyron çmimin real të shitjes së pasurisë. Kjo shumë ka kaluar në llogarinë bankare të përfaqësuesit me prokurë dhe nuk u është dorëzuar palëve shitëse.
Kalimi i pronësisë është regjistruar në Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier më 14.02.2023, pa u kryer verifikimet e detyrueshme sipas ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën” mbi titullin e pronësisë dhe mbi përputhjen e palëve shitëse me pronarët e regjistruar në kartelë. Gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se, pas paraqitjes së kallëzimit, personi nën hetim D.SH. u ka dorëzuar të dëmtuarve, në kesh, shumën prej 15.000 Euro, me qëllim tërheqjen e kallëzimit.
Gjatë kontrollit ushtruar në banesën e personit nën hetim A.V., në Fier, brenda një sirtari të mbyllur me çelës, janë gjetur 7 zarfe me para, në të cilat janë shënuar emra dhe mbishkrime të ndryshme. Në total u sekuestruar 31.720 euro, 608.000 lekë, 5.000 kurora norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë. Në të njëjtën dhomë u gjetën dhe sekuestruan gjithashtu 46 fishekë armë zjarri të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë arme gjahu.
Në këto rrethana, nga provat e administruara rezulton dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale nga personat nën hetim, si më poshtë:
Shtetasi D.SH., ish-kryetar i njësisë administrative, i cili ka vepruar në cilësinë e përfaqësuesit me prokurë të familjes shitëse, dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 143, paragrafi 3, 186, paragrafi 2, 287, paragrafi 1, dhe 25 të Kodit Penal.
Shtetasi A.V., i cili në kohën e kryerjes së veprimeve ushtronte funksionin e drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, dyshohet për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, dhe “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186, paragrafi 3, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Shtetasi F.B., i cili ushtronte funksionin e specialistit jurist në Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, dyshohet për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186, paragrafi 2, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Shtetasja A.H., e cila ushtron profesionin e noteres me zyrë në Fier, dyshohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186, paragrafi 3, dhe 25 të Kodit Penal.
Shtetasja A.J., e cila ushtronte funksionin e specialistes hartografe në Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Nga hetimi rezultojnë gjithashtu dyshime se, me të njëjtën mënyrë veprimi, janë tjetërsuar edhe pasuri të tjera në pronësi të shtetit. Hetimet vijojnë për verifikimin e plotë të rrethanave të faktit, identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësisë së tyre penale.
The post Tjetërsuan pronën e një personi, gjykata cakton masë “Arrest me burg” për 3 zyrtarët e Kadastrës Fier dhe noteres appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.