Po transportonin 4 emigrantë kinezë drejt Greqisë, arrestohet 19-vjeçari në Vlorë, në kërkim bashkëpunëtori
Një 19-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Vlorës, pasi në bashkëpunim me një 21-vjeçar, i cili është shpallur në kërkim, transportonin kundrejt pagesës 4 shtetas kinezë që synonin të kalonin ilegalisht në Greqi.
Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë M. M., 19 vjeç, banues në Konispol, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi A. S., 21 vjeç, banues në Kosovë.
Në bazë të operacionit, raportohet se shtetasi M. M. monitoronte rrugën për praninë e Policisë, ndërsa shtetasi A. S. e ndiqte pas me automjetin me të cilin transportonte në drejtim të Konispolit 4 shtetasit kinezë.
Pas identifikimit nga policia, shtetasi A. S. ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap, duke përfituar nga terreni dhe errësira.
Vijon puna për kapjen e tij dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet e përdorura për këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
The post Po transportonin 4 emigrantë kinezë drejt Greqisë, arrestohet 19-vjeçari në Vlorë, në kërkim bashkëpunëtori appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.