Nga votimi i detyrueshëm te listat e hapura për këshilltarët bashkiakë, Berisha prezanton qëndrimet e PD-së për Reformën Zgjedhore

  • Ndaje
Nga votimi i detyrueshëm te listat e hapura për këshilltarët bashkiakë, Berisha prezanton qëndrimet e PD-së për Reformën Zgjedhore

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka prezantuar gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar qëndrimet e kësaj partie për Reformën Zgjedhore.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike kërkon votimin të detyrueshëm për qytetarët, kundërshton numërimin elektronik të votave dhe kërkon barazi të plotë mes pozitës dhe opozitës në vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai u shpreh gjithashtu në favor të listave 100% të hapura për këshilltarët bashkiakë.

Sa i përket sistemit të koalicioneve zgjedhore, Berisha kërkoi rikthimin e një mekanizmi sipas të cilit çdo parti politike të përfitojë vetëm votat e marra prej saj, pa mundësinë që partitë e tjera të përfitojnë nga votat e saj.

Votimi i detyrueshëm dhe kundërshtimi i numërimit elektronik

Kreu i PD-së u bëri thirrje forcave politike opozitare të mbështesin votimin e detyrueshëm të qytetarëve. Sipas tij, ky mekanizëm do të kufizonte mundësinë e ndikimit te zgjedhësit përmes blerjes së të drejtës për të votuar dhe nxitjes së tyre për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Ai solli si shembuj Australinë dhe Belgjikën, ku votimi është i detyrueshëm, ndërsa u shpreh kategorikisht kundër çdo forme të numërimit elektronik.

“Ne ftojmë të gjitha forcat politike opozitare të mbështesin votimin e detyrueshëm të qytetarëve. Pra, ne duhet të kërkojmë votim të detyrueshëm për qytetarët. Jemi kategorikë kundër çdo forme numërimi elektronik, pasi ky lloj numërimi është shfaqur me probleme të mëdha në shumë vende. Në Shqipëri po e po, por edhe në vende të tjera të botës. Asnjë votim elektronik“, tha ai.

Barazi në KQZ dhe lista 100% të hapura për këshilltarët bashkiakë

Një tjetër propozim i kreut të demokratëve lidhet me mënyrën e vendimmarrjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Berisha kërkoi barazi të plotë mes pozitës dhe opozitës në këtë institucion, duke propozuar krijimin e një strukture zgjedhore ku të dyja palët të kenë të drejta të barabarta në vendimmarrje.

Ai deklaroi gjithashtu se PD është për lista 100% të hapura për zgjedhjen e këshilltarëve bashkiakë.

“Ne jemi për vendosjen e barazisë së plotë në vendimmarrje në KQZ, pozitë-opozitë. KQZ-ja aktuale është e damkosur në raportet ndërkombëtare, i keni lexuar vetë, ndaj dhe ne të bashkohemi dhe të krijojmë një institucion zgjedhor me të drejta të barabarta. I garantoj edhe një herë aleatët tanë, aleatët në potencial apo qofshin dhe jo, por që janë opozitarë, se ne jemi për lista 100% të hapura për këshilltarë bashkiakë“, tha Berisha.

Koalicionet, Berisha: Asnjë parti të mos marrë votat e partive të tjera

Berisha kërkoi gjithashtu ndryshimin e legjislacionit për koalicionet zgjedhore, duke e cilësuar dispozitën aktuale si antidemokratike. Sipas tij, duhet të rikthehet e drejta që çdo parti politike të përfitojë të gjitha votat e marra prej saj, pa mundësuar kalimin e tyre te një forcë tjetër politike.

Kreu i PD-së u shpreh në favor të listave të hapura të partive dhe theksoi se ky ndryshim synon të garantojë përfaqësimin e drejtë të forcave politike në zgjedhje.

“Partia Demokratike qëndron plotësisht tek rikthimi, tek sanksionimi i të drejtës që të gjitha partitë politike të mbledhin në koshin e vet të gjitha votat që hidhen për atë parti. Po, larg duart partitë e mëdha mbi koshin e votave të partive të tjera. Jo, ne jemi për listë të hapur të partive dhe asnjë votë partitë e tjera të mos mund të marrin nga asnjë parti“, tha ai.

Vota e diasporës, kërkohet transparencë dhe siguri

Sa i përket votës së diasporës, Berisha tha se PD nuk e kundërshton të drejtën e shqiptarëve jashtë vendit për të votuar, por kërkoi që mënyra e zbatimit të saj të diskutohet më gjerësisht, me qëllim garantimin e sigurisë dhe transparencës së procesit.

“Për votën e diasporës duhet të diskutojmë gjerësisht, sepse ne e pamë. Nuk e kundërshtojmë kurrë të drejtën e tyre të votës, por mënyra e zbatimit të kësaj duhet parë, të gjejmë mënyrat më të sigurta, më transparente. Ndaj dhe përpiqemi, zotërinj deputetë, të bëjmë të pamundurën për të përcaktuar të gjitha modalitetet“, tha ai.

Balotazhi, Berisha: Zgjidhja më e mirë do të ishte me qeveri teknike

Një tjetër çështje e ngritur nga Berisha ishte zhvillimi i raundit të dytë të zgjedhjeve, përmes sistemit të balotazhit. Ai u shpreh se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë në kushtet e një qeverie teknike, ndërsa në mungesë të saj, sipas tij, një mekanizëm i tillë do t’i jepte avantazh mazhorancës.

Berisha deklaroi se opozita do të votonte menjëherë krijimin e një qeverie teknike, duke e lidhur këtë me kushtet për zhvillimin e një procesi zgjedhor të barabartë.

“Raundi i dytë në prani të qeverisë teknike do të ishte zgjidhja më e mirë, raundi me balotazh, por në mungesë të qeverisë teknike absolutisht ky është një shesh për narko-qeverinë për të vazhduar plaçkitjen e saj. Edhe një herë, në rast se krijohet një qeveri teknike, ne që nesër e votojmë, por në rast se nuk krijohet qeveria teknike, kjo dëmton opozitën, sepse kthetrat e zeza të qeverisë mobilizohen në të gjitha ato zona që mbeten në balotazh“, tha kreu i PD-së.

PD prezanton paketën e plotë të propozimeve për Reformën Zgjedhore, 8 fushat ku kërkon ndërhyrje

The post Nga votimi i detyrueshëm te listat e hapura për këshilltarët bashkiakë, Berisha prezanton qëndrimet e PD-së për Reformën Zgjedhore appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.