Zvicra mundëson trajnim me orar të pjesshëm për specialistët e doganës dhe sigurisë kufitare
Zvicra do të ofrojë për herë të parë mundësinë e trajnimit me orar të pjesshëm për specialistët e doganës dhe sigurisë kufitare, duke filluar nga tetori i vitit 2027, ka njoftuar Zyra Federale për Doganën dhe Sigurinë Kufitare (BAZG), përcjell albinfo.ch.
Sipas njoftimit të publikuar më 9 nëntor, modeli i ri synon t’u krijojë mundësi personave që dëshirojnë të ndjekin këtë profesion, por nuk mund të angazhohen në një program me orar të plotë.
Trajnimi do të zgjasë tre vjet, me angazhim prej 60%, ndërsa ditët e punës dhe të mësimit do të jenë të përcaktuara nga e marta deri të enjten. Ndryshe nga ky model, trajnimi me orar të plotë zgjat dy vjet.
Programi do të përfshijë mësim teorik dhe praktik. Pjesa teorike do të zhvillohet në Liestal dhe Interlaken, ndërsa praktika e grupit të parë kryesisht në rajonet Schaffhausen, Thurgau dhe Zürich.
Autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se të dyja format e trajnimit ofrojnë të njëjtat kompetenca dhe çojnë në marrjen e së njëjtës diplomë profesionale federale.
Aplikimet për programin e ri tashmë janë hapur, ndërsa grupi i parë pritet të fillojë më 12 tetor 2027. Trajnimi me orar të pjesshëm do të zhvillohet në gjuhën gjermane. /Albinfo.ch
The post Zvicra mundëson trajnim me orar të pjesshëm për specialistët e doganës dhe sigurisë kufitare appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.