Zvicra shkëlqen në World Ski Awards 2026, por titulli i resortit më të mirë në botë shkon në Francë

  • Ndaje
Zvicra shkëlqen në World Ski Awards 2026, por titulli i resortit më të mirë në botë shkon në Francë

Zvicra ka shënuar sukses të madh në edicionin e vitit 2026 të World Ski Awards, duke fituar disa prej çmimeve ndërkombëtare për vendpushimet e skive, hotelet dhe operatorët turistikë dimërorë, transmeton albinfo.ch.

Vendpushimi Laax, në kantonin e Graubündenit, është shpallur edhe këtë vit më i miri në botë për sportet e stilit të lirë (World’s Best Freestyle Resort). Ky është viti i njëmbëdhjetë radhazi që Laax fiton këtë çmim, që prej krijimit të kategorisë për freestyle.

Në të njëjtën zonë, Rocksresort është vlerësuar si hoteli më i mirë ekologjik për skijim në botë.

Edhe destinacionet dhe hotelet e tjera zvicerane kanë marrë vlerësime të rëndësishme. W Verbier është shpallur hoteli më i mirë i skive në botë, ndërsa Grand Hotel Belvedere në Wengen ka fituar çmimin për hotelin më të mirë të ri për skijim.

Në kategorinë e chaleteve, Chalet Zermatt Peak është vlerësuar si më i miri në botë, ndërsa Chez Madeleine, në Evolène, ka fituar çmimin për chaletin më të mirë të ri.

Sukses ka shënuar edhe sektori zviceran i organizimit të udhëtimeve. Kompania Leo Trippi ka fituar çmimin për agjencinë më të mirë të udhëtimeve të skive në botë. Ndërkaq, Bramble Ski, me seli në Verbier, ka marrë dy çmime speciale si operatori më i mirë për organizimin e udhëtimeve të skijimit në Austri dhe Zvicër.
Tri vendpushimet më të mira të skive në botë
Pavarësisht suksesit zviceran në disa kategori, çmimi kryesor i World Ski Awards 2026, për vendpushimin më të mirë të skive në botë, i ka shkuar Francës.

Fitues është Val Thorens, i cili ndodhet në një lartësi prej 2 300 metrash dhe konsiderohet vendpushimi më i lartë i skive në Evropë. Përmes zonës së skijimit Les 3 Vallées, vizitorët kanë në dispozicion rreth 600 kilometra pista të lidhura mes tyre.

Në mesin e tri vendpushimeve më të mira në botë është edhe Deer Valley, në shtetin amerikan të Utahut. Ky resort luksoz është i veçantë për faktin se lejon vetëm skijimin me ski, ndërsa snowboard-et nuk lejohen.

Nga dhjetori i vitit 2026, resorti pritet të ofrojë 209 pista skijimi në një sipërfaqe prej më shumë se 18 kilometrash katrorë. Një tjetër veçori janë kufizimet e rrepta të numrit të vizitorëve, të cilat synojnë të shmangin mbingarkesën e pistave.

Vendin e tretë në mesin e më të mirëve e zë Kitzbühel, në Tirol të Austrisë. Zona ofron 233 kilometra pista dhe është e njohur për Streif-in, një prej pistave më të vështira dhe më sfiduese të garave të skijimit në botë.

Përveç këtij vlerësimi, kompania Bergbahn AG Kitzbühel është shpallur gjithashtu operatori më i mirë i një vendpushimi skijimi në botë për vitin 2026./Albinfo.ch

The post Zvicra shkëlqen në World Ski Awards 2026, por titulli i resortit më të mirë në botë shkon në Francë appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.