LDK-ja i propozojnë Vjosa Osmanin për presidentë nëse Lëvizja Vetëvendosje i garanton 66 vota

LDK-ja i propozojnë Vjosa Osmanin për presidentë nëse Lëvizja Vetëvendosje i garanton 66 vota
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur edhe një herë ofertës së kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se do ta propozojnë Vjosa Osmanin për president nëse Lëvizja Vetëvendosje i garanton 66 vota për të.
Në një shkrim në Facebook të shtunën, Abdixhiku thekson se Kurti duhet të vendosë nëse synon bashkëpunim me LDK-në apo sigurimin e 90 votave në Kuvend edhe me përfshirjen e PDK-së. Sipas tij, nëse opsioni i dytë mbetet i vetmi, atëherë LDK-ja nuk mund të ofrojë mbështetje.
“I nderuar Kryeministër Kurti, meqë po komunikojmë në distancë, ku lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë”, ka shkruar ai.
Por në rast se Kurti do marrëveshje me LDK-në, Abdixhiku është shprehur i gatshëm ta propozojë emrin e Osmanit për president nëse VV-ja i garanton votat për të.
“Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot pergjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, ka shkruar tutje kryetari i LDK-së.
Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar dy partitë më të mëdha opozitare, Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike, që të dalin me tre emra të përbashkët, jo partiakë dhe unifikues, për president deri të dielën në mbrëmje. Partia më e madhe është zotuar se do t’i tërheqë kandidaturat dhe do t’ua ofrojë nënshkrimet PDK-së e LDK-së për propozimet e tyre. Deri tash, PDK-ja ka bërë të ditur se e refuzon propozimin.
Burimi i lajmit:
ina-online.net
Shënim: Ky material është marrë nga burime publike në internet dhe është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today. Portali nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen origjinale të publikuar nga burimi. Për ankesa ose kërkesa për heqje materiali, na kontaktoni në Facebook: KosovaToday. Faleminderit për mirëkuptimin.



