Aeroporti i Tiranës në krye, “shkelë” aeroportet e tjera të Ballkanit

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është renditur në vendin e parë në rajon për numrin e pasagjerëve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke kaluar shifrën e 6 milionë udhëtarëve.
Të dhënat janë bërë publike nga kryeministri Edi Rama, i cili ka shpërndarë në rrjetet sociale një grafik me shifrat e aeroporteve kryesore të Ballkanit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Rama, aeroporti i Tiranës ka regjistruar një rritje prej 17% të numrit të pasagjerëve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Në renditjen rajonale, pas Tiranës vjen aeroporti i Beogradit me 4.2 milionë pasagjerë. Në vendin e tretë renditet Zagrebi me 2.2 milionë udhëtarë, ndërsa Prishtina ka regjistruar 2.1 milionë pasagjerë.
Më tej në listë pozicionohet Shkupi me 1.8 milionë pasagjerë, ndërsa aeroportet e Splitit dhe Dubrovnikut kanë regjistruar përkatësisht 1.3 milionë dhe 1.2 milionë udhëtarë.
Podgorica ka shënuar rreth 900 mijë pasagjerë, ndërsa Sarajeva dhe Ljubljana rreth 800 mijë secila.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar rezultatin si një tregues të rritjes së fluksit të udhëtarëve përmes aeroportit të kryeqytetit.
“Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës kryeson aeroportet e rajonit për numrin e pasagjerëve në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026. 6 milionë pasagjerë në vetëm 6 muaj, me një rritje prej 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025”, shkruan Rama.
Renditja vë në pah diferencën e ndjeshme mes aeroportit të Tiranës dhe aeroporteve të tjera kryesore të rajonit për numrin e pasagjerëve të përpunuar gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



