Aksion i madh kundër trafikut të drogës në Zvicër, arrestohen 41 persona
Prokuroria Federale e Zvicrës dhe Zyra Federale e Policisë (fedpol) kanë zhvilluar një operacion të gjerë kundër trafikut të drogës, në kuadër të një hetimi ndërkombëtar ndaj një organizate kriminale të dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të narkotikëve nga Amerika Latine drejt Evropës, përcjell albinfo.ch.
Sipas autoriteteve zvicerane, organizata dyshohet se e ka zhvilluar këtë aktivitet që nga viti 2019, ndërsa hetimet kanë nisur në vitin 2022. Ndërhyrja e fundit e koordinuar është realizuar më 10 dhe 11 nëntor.
Gjatë operacionit janë kryer gjithsej 84 bastisje në lokacione të ndryshme, prej të cilave 55 në Zvicër. Si rezultat, janë arrestuar 41 persona, ndërsa për pesë prej tyre është kërkuar masa e paraburgimit.
Hetuesit dyshojnë se organizata përdorte kompani me seli në Zvicër dhe Holandë si mbulesë për aktivitete të ligjshme, përmes të cilave importonte kokainë të fshehur në kontejnerë transporti detar.
Në gusht të këtij viti, në portin e Antwerpit në Belgjikë, autoritetet kishin sekuestruar më shumë se 750 kilogramë kokainë, në kuadër të të njëjtit hetim.
Në shtetet pjesëmarrëse në operacion janë sekuestruar gjithashtu mbi 2.3 milionë franga dhe 15 armë.
Hetimet ndaj rrjetit të dyshuar kriminal janë ende në vazhdim./Albinfo.ch
The post Aksion i madh kundër trafikut të drogës në Zvicër, arrestohen 41 persona appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.