Ambasadorja holandeze në Shqipëri: Liria e medias kërkon vëmendje, dhuna në protesta na ka shokuar

Ambasadorja holandeze në Shqipëri: Liria e medias kërkon vëmendje, dhuna në protesta na ka shokuar

Ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, është shprehur e shqetësuar për aktet e dhunës gjatë protestave në Shqipëri, duke deklaruar se ato kanë shkaktuar tronditje dhe habi te pala holandeze.

Në një prononcim për mediat nga Korça, pas një takimi me përfaqësues të organeve ligjzbatuese, ku në fokus ishte liria e medias, Monster komentoi raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke u ndalur te lufta kundër korrupsionit, forcimi i shtetit të së drejtës dhe protestat qytetare.

Diplomatja vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, por theksoi se raporti evidenton edhe problematika që kërkojnë angazhim të mëtejshëm, veçanërisht sa i përket lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.

Duke iu referuar protestave, Monster nënvizoi se ato janë një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike, ndërsa theksoi se aktet e dhunës janë shqetësuese dhe kanë shkaktuar tronditje.

Pyetje: Opinioni juaj për vlerësimin e komisionit europian për lirinë e medias.

Ambasadorja: Sikundër ndoshta keni parë dhe keni dëgjuar në lidhje me raport progresin. Ai shënon shumë nota pozitive për të cilat Shqipëria ka bërë progres. Megjithatë njëkohësisht shënohen edhe shumë çështje të cilat kërkojnë akoma vëmendje dhe punë. Çështja e lirisë së medias, lirisë së shprehjes. Është një pikë për të cilën edhe ne jemi këtu sot në Korçë për të parë se si liria e medias mund të adresohet nëpërmjet sistemit gjyqësor, prandaj jam shumë e kënaqur që jam në Korçë për të diskutuar mbi këto çështje.

Pyetje: Lufta ndaj korrupsionit dhe fakti që studentët dhe qytetarët protestojnë kundër tij.

Ambasadorja: Sikurse e dini, Hollanda është një nga vendet anëtare e cila ka një qasje që fokusohet në tre pika kryesore, që është strikt, drejt, pra fair dhe e angazhuar. Një nga gjërat që ne mundohemi të bëjmë është që të vazhdojmë të mbështesim rrugëtimin e Shqipërisë drejt pranimit në BE nëpërmjet mundësive tona që janë brenda kësaj, gjë që na mban të angazhuar në këtë çështje.

Pyetje: Çfarë mund të bëjë Shqipëria më mirë për shtetin e së drejtës?

Ambasadorja: Unë mendoj që Shqipëria tashmë ka filluar një sërë reformash siç është ajo, për shembull reforma në drejtësi, e cila tashmë ka arritur në një fazë të re që është faza e konsolidimit dhe besoj që kjo ka të bëjë jo vetëm me atë çfarë është e shkruar në letra, por edhe zbatueshmëria e saj dhe të qëndruarit deri në fund të angazhimeve që janë marrë në kuadër të këtyre reformave.

Pyetje: Mesazhi juaj për protestën.

Ambasadorja: Protestat na treguan që ka një lloj tensioni në shoqërinë shqiptare sepse përndryshe njerëzit nuk do të kishin dalë për të protestuar. Megjithatë ne i qëndrojmë mendimit që protestat janë në rregull, është e drejtë themelore, por dhuna është diçka e cila ne na ka shokuar, na ka suprizuar.

The post Ambasadorja holandeze në Shqipëri: Liria e medias kërkon vëmendje, dhuna në protesta na ka shokuar appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.