Berisha: Jam këtu për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje para mediave kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, pasi, sipas tij, ai “rezulton jo vetëm i implikuar në mega-aferat më të mëdha korruptive në historinë e Shqipërisë dhe të Europës, por rezulton edhe pengesa më kryesore e funksionimit të drejtësisë”. “Përsëri jam këtu për […]

Berisha: Jam këtu për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje para mediave kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, pasi, sipas tij, ai “rezulton jo vetëm i implikuar në mega-aferat më të mëdha korruptive në historinë e Shqipërisë dhe të Europës, por rezulton edhe pengesa më kryesore e funksionimit të drejtësisë”.

“Përsëri jam këtu për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës nga detyra e kryeministrit, i cili rezulton jo vetëm i implikuar në mega-aferat më të mëdha korruptive në historinë e Shqipërisë dhe të Europës, por rezulton edhe pengesa më kryesore e funksionimit të drejtësisë, çka përbën një krim të rëndë në vetvete. Emri i Edi Ramës lidhet me akuzën direkte të raportit të OSBE në vitin 2014, në të cilin njoftohej se Edi Rama mori detyrën e kryeministrit duke pasur të depozituara në bankat offshore 200 milionë euro. Ndaj kësaj akuze konkrete, Edi Rama nuk ngriti asnjë padie, civile apo penale, për të mos thënë që e kapërdiu në heshtje të plotë. Edi Rama u bë kryeministër me sarajet e Surrelit mbi shpinë, saraje me gjatësi themelesh 57 metra, dy herë më të gjata se vila e ish-diktatorit Hoxha, të ndërtuara me materiale të superkushtueshme. Me një oborr-park fillimisht 5400, aktualisht 8300 metër katrorë me ullinj shekullorë të shkulur në ullishtet e vendit dhe të implantuara në kopshtin e narkosulltanit të Surrelit”, tha Berisha.

“Erdhi në pushtet me pallatin në pajë, të ndërtuar nga kompania e vëllait të komandantit të Gardës, Gramoz Sako. Pallat i ndërtuar në sheshin e pallateve, me leje të kundërligjshme, totalisht të kundërligjshme, por mbi të gjitha nga 5 kate mbi tokë dhe 2 nëntokë, për pallatin në pajë nuk ekziston nga familja Rama as edhe një faturë bankare, financiare, tatimore, doganore, ndërtimore apo e çfarëdo llojit. Që të gjitha, përfshi regjistrimin e pronës, janë në emër të kompanisë. Zonja Rama deklaroi se pallati është ndërtuar me para gjaku, duke implikuar thellë vëllain e vet, njeri korrekt në vlerësimin tim në emigracion. Por midis korrupsionit të burrit dhe të vëllait, ia ngjeshi vëllait. Pallati, tha, është i ndërtuar me para gjaku. Se ç’janë paratë e gjakut, e kanë të qartë shqiptarët. Nuk është e vërtetë, pallati është vepër e korrupsionit të bashkëshortit të saj, Edi Rama, i cili e ka shpërblyer me dhjetëra tendera kompaninë që ka ndërtuar pallatin në pajë dhe kompaninë që ka ndërtuar sarajet e Surrelit”, shtoi Berisha.

Kreu demokrat foli edhe për inceneratorët: “Edi Rama kryeministër nuk ndali vrapin por vazhdoi i tërbuar duke plaçkitur pasuritë dhe fondet publike të shqiptarëve. Monumenti më i zi ishte afera e djegësve. Djegësi i Tiranës me firmën e tij, 130 milionë euro dhe nuk ekziston një tullë. Djegësat e tjerë që janë llamarinë dhe nuk ekzistojnë më. Erion Veliaj, në vend që të burgosej për 130 milionë euro të zhdukura bashkë me Edi Ramën, është burgosur për disa milionë që ka transferuar në konton bankare të gruas së tij me një gardërobë po aq të kushtueshme, po aq të larmishme sa Lajla Asadi. Kaq ishte gardëroba e Lajlasë kur ia numëruan në Moskë që e transferoi me një avion të posaçëm. Kështu ishte edhe gardëroba e Ajolës. Edi Rama, me firmën e tij, ka vendosur të ndërtojë në Durrës, Dubain e vet të 1001 netëve, aferë që shkon të paktën 4 miliardë euro, që do ta ndërtojë me paratë e Franc Çopjes, Amant Josifit, Olsi Ramës dhe trafikantëve të tjerë. Edi Rama është i implikuar kokë e këmbë në ndërtimin e portit të ri në Porto Romano nga kompani ruse. Shikoni se çfarë, nga njëra anë shkonte në selinë e NATO-s dhe u kërkonte që të mbështesnin projektin, nga ana tjetër kontrakton rusë për ndërtimin e parkut dhe mund të informoj qytetarët se një hetim serioz do bëhet nga parlamenti për këtë çështje”.