Berisha kalon oqeanin: fundi i izolimit pesëvjeçar për në SHBA (VIDEO)

Berisha kalon oqeanin: fundi i izolimit pesëvjeçar për në SHBA (VIDEO)

Nga Aeroporti John F. Kennedy, Beqir Sina/INA

Pas pesë vjetësh ndalese, Sali Berisha zbriti sot në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy. Fluturimi i Austrian Airlines u ul në orën 20:05. Në 20:30, vetëm 25 minuta më vonë, ai dhe delegacioni që e shoqëronte u paraqitën te kontrolli i pasaportave të CBP-së.

Përshëndetja e parë ishte e oficerve të kufrit amerikan: “Welcome, Mr. Berisha!”

Hyrja u bë e mundur me një vizë gjashtëvjeçare, pas përjashtimit sipas seksionit 7031(c) që administrata e re lëshoi përmes ambasadës në Tiranë.

Në formularin e vizës, Departamenti i Shtetit e ka arsyetuar si “interes bindës kombëtar”.

Në sallën e mbërritjes zotin Berisha e prisnin dhjetëra shqiptarë me tufa lulesh. “Mirëseerdhët në Amerikë, zoti Berisha!” e cila ishte thirrja që u përsërit.

Momenti pritej me vëmendje të dyfishtë nga diaspora këtu dhe nga Tirana.

Në janar 2021, Kryeministri Edi Rama e kishte pyetur në parlament zotin Berisha nëse do të kalonte oqeanin. Tre muaj më vonë, ishte Sekretari i Shtetit Antony Blinken që e vendosi nën sanksione, duke i ndaluar hyrjen me akuza për korrupsion të konsiderueshëm dhe minimin e demokracisë.

Përgjigja erdhi sot, më 4 shtator 2026, Berisha në SHBA.

Berisha nuk vjen si i dërguar i qeverisë. Ai është kryetar i opozitës dhe pjesë e delegacionit të International Democracy Union, për takime me aleatë republikanë në Kongres e Senat, përpara Konventës Republikane në Teksas.

Vizita e fundit e tij në SHBA daton në 2012, në 100-vjetorin e Pavarësisë, i ftuar nga komuniteti dhe Federata “Vatra”.

Para nisjes e quajti këtë “udhëtimin e viteve për Shqipërinë” dhe tha se vjen me të njëjtën bindje të marsit 1991: se Amerika do të mbështesë shqiptarët për t’u çliruar nga ajo që ai e quan diktaturë autoritare e ndërtuar mbi drogë, krim dhe vjedhje.

Të dielën, 6 shtator, ora 11:00, në Bergen Performing Arts Center në Englewood, New Jersey, dhe më pas në Teksas zoti Berisha ka ftuar shqiptarët e Amerikës me moton “Liria funksionon!”.

Ardhja në JFK e zotit Berisha nuk është thjesht një hyrje kufitare. Ajo është mbyllja e një “lufte” poltike që çoi atë në një izolim diplomatik pesëvjeçar, dhe tani fillimi i një testi të ri sesi do ta lexojë Uashingtoni opozitën shqiptare dhe si do ta lexojë Tirana kthimin e liderit të saj në tokën amerikane.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.