Berisha: Qytetarët të mbështesin këtë lëvizje historike, bizneset e vogla duhet të solidarizohen me protestën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje mbarë qytetarëve dhe biznesit të vogël që të solidarizohen dhe të mbështesin revoltën studentore dhe lëvizjen e rinisë shkollore në të gjithë vendin.
Në deklaratën e tij, Berisha u kërkoi bizneseve që të gjejnë format e tyre të protestës, duke sugjeruar edhe ndërprerjen e përkohshme të punës, ndërsa garantoi se studentët nuk kanë asnjë qëllim të dëmtojnë sipërmarrësit e ndershëm.
Në fjalën e tij për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi:
“PD u bën thirrje mbarë qytetarëve të mbështesin me të gjithë potencialin e tyre këtë lëvizje historike, këtë revoltë historike të studentëve të Tiranës dhe universiteteve të vendit, këtë revoltë historike shpëtimtare të mbarë rinisë shkollore dhe më gjerë. PD u bën thirrje bizneseve të vogla që kanë te kjo parti, partinë e tyre, të gjejnë format dhe të shprehin solidaritetin e tyre të plotë me studentët në revoltë. PD i garanton ata se studentët nuk kanë urrejtje ndaj tyre. Urrejtja studentore është për Padrinon dhe oligarkët e tij. Por është në kodin moral të biznesmenit të ndershëm të qytetëruar të marrë anën e studentëve, qoftë me një ndërprerje të përkohshme pune njëorëshe, dyorëshe në mënyrë që të inkurajojë këtë lëvizje.
Një akt miqësor ndaj studentëve, revoltës së tyre, që po tregojnë një guxim të jashtëzakonshëm, pritet nga çdo biznesmen. Narkoshteti i Edi Ramës është armiku kryesor i tyre, armiku kryesor i shqiptarëve. Dhe studentët po përballen pikërisht me narkoshtetin e Edi Ramës. Indiferenca ndaj revoltës studentore, dashje pa dashje është mbështetje për regjimin më të urryer të shqiptarëve dhe Edi Ramën. U bëj thirrje të gjitha shërbimeve publike të konsiderojnë rreshtimin e tyre me studentët. Është e një rëndësie jetike zgjerimi dhe universalizimi i kësaj greve, i kësaj revolte.”
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



