Braçe vijon fushatën për kryebashkiak, inspektim me banorët në Tiranë: Rruga u pastrua, por…

Braçe vijon fushatën për kryebashkiak, inspektim me banorët në Tiranë: Rruga u pastrua, por…

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me situatën në një prej rrugëve në Komunën e Parisit, ku pas ndërhyrjes për pastrimin e mbetjeve inerte, sipas tij, vijojnë problematikat me qarkullimin dhe dëmtimet e rrugës.

Në videon e postuar Braçe bashkë me kryeplakun e zonës, shprehet se rruga dhe trotuaret mbeten të bllokuara, ndërsa kërkon ndërhyrjen e strukturave të Bashkisë së Tiranës për rikthimin e tyre në gjendje të përshtatshme.

Deputeti ka ngritur gjithashtu shqetësimin për ndotjen vizive në muret pranë pallateve, duke kërkuar pastrimin dhe lyerjen e tyre.

“Rruga u pastrua, edhe nën kujdesin e kryeplakut, që është me mua këtu. Por na ka ngelur kjo ndotja vizive që është e neveritshme përballë pallateve që kanë dhe fëmijë. Do duhet që këta që e kanë detyrë këta të Kristalit ta lyejnë këtë gjënë se nuk shkon.

Ajo që dua të them është se rruga nuk është hapur akoma, dëmtimet që i janë rrugës janë shumë evidente. Që do të thotë, policia bashkiake, sektori i qarkullimit rrugor të policisë bashkiake, policia e ndërtimit apo inspektorati i mbrojtjes së territorit, nuk e di a mbron edhe infrastrukturat apo jo. Nuk e kanë bërë punën akoma, shikojeni si është bërë rruga e re e papërdorur pothuajse, ky është shqetësimi. Megjithatë, një punë u bë, pastrimi dhe heqja e mbetjeve inerte u bë. Tani duhet të veprojnë edhe strukturat e tjera të bashkisë”, u shpreh deputeti socialist.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.