Celibashi: Komisionerët partiakë nuk garantojnë profesionalizëm në zgjedhje

Partitë nuk janë gati të heqin dorë nga numëruesit dhe komisionerët politikë, por kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, është i bindur se ky është momenti që aktorët politikë të ndryshojnë formulën e përbërjes së komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta.
Komisioneri kërkon që depolitizimi i administratës zgjedhore të jetë prioritet për komisionin e reformës zgjedhore.
“Përbërja partiake e komisioneve të dyta dhe të treta nuk garanton integritet të plotë të administrimit të procesit zgjedhor dhe profesionalizëm.
Ndaj është domosdoshmëri që administrimi zgjedhor në nivelin e dytë dhe të tretë të mos jetë vetëm në duart e partive politike.
Do të duhet që Kuvendi i Shqipërisë, e më së pari partitë politike e veçanërisht dy partitë kryesore politike, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, të adresojnë këtë çështje me prioritet të lartë”, tha Celibashi.
Partitë politike janë dakord parimisht për ngritjen e një qendre të përhershme për trajnimin e administratës zgjedhore.
“Kemi pasur diskutime edhe me përfaqësues të partive politike dhe kemi kuptuar si prej atyre të opozitës dhe të mazhorancës duket që ka mbështetje për këtë ide, për të krijuar një strukturë e cila në mënyrë të përhershme do të jetë kompetente dhe përgjegjëse për zhvillimin e trajnimeve zgjedhore dhe edukimin zgjedhor në Shqipëri”, tha Celibashi.
Në çdo palë zgjedhje, komisionerët e partive politike kanë rezultuar të jenë thembra e Akilit e proceseve elektorale, ndaj edhe depolitizimi i trupës zgjedhore vijon të mbetet rekomandimi kryesor i OSBE-ODIHR.
Burimi i lajmit: opinion.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



