Debate në grupin e PS për transferimin e Veliajt, Bledi Çuçi kërkon dokumentacionin nga Toni Gogu

Debate janë zhvilluar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, përpara nisjes së seancës plenare të kësaj të enjteje, lidhur me transferimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit.
Burime bëjnë me dije se deputeti socialist Bledi Çuçi i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dokumentacionin që lidhet me transferimin e Veliajt.
Sipas të njëjtave burime, Çuçi i ka kërkuar Gogut të bëjë publike dokumentet përkatëse, duke i kërkuar dorëheqjen në rast se nuk i disponon ato.
Përplasja e raportuar brenda grupit parlamentar të mazhorancës vjen pas debatit publik mbi transferimin e Veliajt dhe kushtet në të cilat ai po mbahet në burgun e Fierit.
I pyetur nga gazetarët jashtë ambienteve të Kuvendit, Bledi Çuçi nuk pranoi të komentonte mbi debatin e zhvilluar gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së.
The post Debate në grupin e PS për transferimin e Veliajt, Bledi Çuçi kërkon dokumentacionin nga Toni Gogu appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



