Debate te “Ligjet”, Bylykbashi: Të nis hetimi i zinxhirit komandues për dhunën e policisë, Manja: Kemi një jetë merremi me atë seli

Debate te “Ligjet”, Bylykbashi: Të nis hetimi i zinxhirit komandues për dhunën e policisë, Manja: Kemi një jetë merremi me atë seli

Deputetët e Partisë Demokratike janë larguar sërish nga mbledhjet e komisioneve parlamentare këtë të martë, në shenjë kundërshtimi ndaj vijimit normal të punimeve të Kuvendit, në kushtet e tensioneve pas protestave të fundit.

Në Komisionin e Ligjeve, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi akuzoi Policinë se po përdor arrestimet dhe ndalimet për të frikësuar qytetarët dhe për t’i penguar ata të marrin pjesë në protesta.

“Sot prokuroria duhet të fillonte hetimin e gjithë zinxhirit komandues të Policisë së Shtetit. Kjo nuk do të kalojë pa pasoja. Të gjithë do të përgjigjen një për një, me koston e spastrimit të plotë nga këta individë që përdorin dhunën, si në kohën e sambistave të komunizmit”, deklaroi Bylykbashi.

Ai iu drejtua gjithashtu mazhorancës me thirrjen për të refuzuar paketën që pritet të shqyrtohet në Kuvend, duke argumentuar se Parlamenti ka humbur legjitimitetin moral për të vijuar punën në këto kushte.

Bylykbashi u kërkoi deputetëve socialistë të dalin nga institucionet dhe të takojnë protestuesit në shesh, ndërsa deklaroi se Kuvendi duhet të vetëshpërndahet.

Nga ana tjetër, deputeti socialist Ulsi Manja iu përgjigj akuzave të opozitës, duke e zhvendosur debatin te Partia Demokratike dhe historiku i saj politik.

“Kemi një jetë që merremi me atë seli. Nuk presin qytetarët që t’ia qajë hallin ajo seli”, tha Manja, duke iu referuar selisë së PD-së si një seli dhune.

Pas largimit të Bylykbashit nga mbledhja, Manja deklaroi se punimet e komisionit do të vijonin normalisht, pavarësisht qëndrimit të opozitës. Ai argumentoi se Kuvendi ka përpara një sërë paketash ligjore që lidhen me procesin e integrimit europian.

Megjithatë, socialisti theksoi se dhuna duhet të dënohet pavarësisht se nga kush ushtrohet, duke lënë të hapur mundësinë e hetimeve për veprimet e Policisë.

“Për të qenë të ndershëm deri në fund, duhet të dënohet dhuna nga të gjitha anët. Nëse ka tejkalim nga policia, le të bëhet hetim”, u shpreh Manja.

Debati në Komisionin e Ligjeve vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa opozita kushtëzon normalitetin parlamentar me përgjegjësinë për veprimet e Policisë gjatë protestave, kurse mazhoranca këmbëngul në vijimin e punës së Kuvendit.

The post Debate te “Ligjet”, Bylykbashi: Të nis hetimi i zinxhirit komandues për dhunën e policisë, Manja: Kemi një jetë merremi me atë seli appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.