Debate në mbledhjen e grupit të PS? Peleshi: Nuk ka përçarje, por diskutime

Debate në mbledhjen e grupit të PS? Peleshi: Nuk ka përçarje, por diskutime

Në cilësinë e Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste në Qarkun Korçë, Niko Peleshi nisi sot turin e takimeve të quajtuar “Punët për Shqipërinë”. Nga Maliqi, ku mblodhi Asamblenë e zgjeruar të PS-së në këtë bashki, Peleshi foli për mediat lidhur me reformën territoriale dhe sinergjinë mes socialistëve.

Për reformën territoriale, Peleshi tha se, pavarësisht propozimeve të larmishme që mund të bëhen nga 2 kampet parlamentare kryesore, “e rëndësishme është që produkti final duhet të orientohet nga nevoja për të rritur efiçencën e bashkive tona”.

“Është e vërtetë që është krijuar komisioni për reformën territoriale administrative, lajmi i mirë është që deri tani kemi një bashkëpunim bipartizan edhe shpresoj që edhe produkti final të jetë një produkt i përbashkët, pra të ketë dakordësi në të dyja forcat politike, sepse kjo do e bënte reformën më të qëndrueshme. Nëse i referoheni varianteve që besoj kanë rrjedhur në media nga diskutimet e djeshme të grupit parlamentar të PS, ku janë prezantuar disa mendime, propozime, variante nga anëtarët e PS në këtë komision, unë nuk mund të nxitoj të them një vlerësim, natyrisht ka avantazhe dhe disavantazhe, por secili variant që kemi dëgjuar dje, pra të deritanishme, por edhe të varianteve që mund të furnizohen në komision nga anëtarë të tjerë të komisionit që nuk janë anëtarë të grupit të Partisë Socialiste. E rëndësishme është që produkti final duhet të orientohet nga nevoja për të rritur eficencën e bashkive tona. Ka mënyra të ndryshme se si kjo arrihet, përmes harmonizimit të zonave rurale me zonat urbane”,- tha Peleshi.

Ai u zotua se, si kryetar i Kuvendit, do të japë kontributin e tij që reforma të mos bazohet mbi llogari elektorale, por mbi një formulë që ka në fokus efiçencën e pushtetit vendor.

“Uroj shumë dhe do të luaj edhe rolin që më takon si kryetar i Kuvendit për të mundësuar një klimë sa më pozitiviste, ndonëse jo gjithmonë është e lehtë, është një nga sfidat më të mëdha, do të thoja, të atij pozicioni që të kemi një formulë bipartizane. Kjo do të shuante edhe paragjykimet për një formë të frymëzuar politikisht”,- tha Peleshi.

Peleshi u përpoq të rrëzonte dyshimet e opinionit publik dhe medias për një përçarje brenda Partisë Socialiste, por nuk mohoi se brenda saj diskutimet janë shtuar.

“Nëse i referoheni thashethemeve, unë nuk mund të komentoj thashetheme pa substancë politike. Nuk di ç’do të thotë përçarje. Natyrisht ka diskutime. Orë të gjata diskutimi kemi pasur dje dhe kjo besoj është e shëndetshme. Natyrisht që s’mund të quhet përçarje diskutimi. Ne nuk jemi një formacion ushtarak pa mendime dhe pa frymë diskutimi dhe pa demokraci të brendshme, por mendoj që ju i referoheni disa thashethemeve të cilat s’kanë lidhje fare me substancën politike të zhvillimeve të brendshme të një partie politike. Këto janë thashetheme pa asnjë kontekst politik”,- tha Peleshi.