Dëmtime të objekteve të trashëgimisë kulturore, Gonxhja thirrje prindërve: Flisni me fëmijët tuaj

Dëmtime të objekteve të trashëgimisë kulturore, Gonxhja thirrje prindërve: Flisni me fëmijët tuaj

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u ka bërë thirrje prindërve që të flasin me fëmijët e tyre pas dëmtimeve të raportuara ndaj pasurive kulturore dhe historike gjatë protestave në Tiranë dhe Durrës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gonxhja thekson se protesta nuk duhet të shndërrohet në vandalizëm, ndërsa nënvizon se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është një përgjegjësi e përbashkët.

Ministri u bën thirrje prindërve të ndërgjegjësojnë fëmijët për rëndësinë e ruajtjes së pasurive publike, duke theksuar se asnjë pakënaqësi nuk justifikon shkatërrimin e objekteve që i përkasin të gjithë shoqërisë.

Postimi i plotë i ministrit Gonxhja

Të dashur prindër,

Pamjet që po shohim duan reagimin tuaj!

Mes turmës, të mitur e adoleshentë po dëmtojnë pasuri publike, institucione kulturore e trashëgimi historike, muze, teatro, biblioteka, objekte kulti

Si fëmijë, përgjegjësia fillon nga familja.

Flisni me ta. Për t’u kujtuar një kufi që nuk duhet kapërcyer:

Asnjë zemërim nuk justifikon shkatërrimin e asaj që u përket të gjithëve, sot e nesër!

Në Tiranë janë dëmtuar hapësirat e jashtme të Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”; hapësira të Teatrit të Kukullave; Muzeut Historik Kombëtar, Bibliotekës Kombëtare. Është sulmuar edhe hapësira e jashtme e Xhamisë së Et’hem Beut, monument unikal kulture i kategorisë 1! Në Durrës janë shkatërruar vepra e instalacione të Bienales së Artit!

Një muze nuk është i një qeverie. 

Një teatër nuk është i një partie. 

Një monument kulture nuk është kundërshtari  a shënjestra e askujt.

Këto janë pasuri publike kombëtare. Janë tempujt e artit, kulturës dhe kujtesës sonë kolektive. Janë vende ku shkohet për të mësuar historinë e festuar krijimtarinë.

Të dashur prindër, flisni me fëmijët tuaj!

Të protestosh nuk do të thotë të vandalizosh!

Qëndrimet politike mund të na ndajnë; përgjegjësia për ta mbrojtur historinë dhe kulturën duhet të na bashkojë!

Anarkia e kaosi duhet t’i japin vendin arsyes!

The post Dëmtime të objekteve të trashëgimisë kulturore, Gonxhja thirrje prindërve: Flisni me fëmijët tuaj appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.