Donald Trump ndërpret ndihmën 4 mld dollarë për Izraelin: S’kanë më nevojë

Presidenti Donald Trump deklaroi të martën se ndihma amerikane për Izraelin do përfundojë në fund të këtij viti, duke argumentuar se vendi nuk ka më nevojë për këtë mbështetje dhe mund t’i blejë vetë armët. “Ne u jepnim 4 miliardë dollarë dhe ende po ua japim, por kjo ndërpritet në fund të vitit”, tha Trump të martën në emisionin “Fox & Friends”, në një deklaratë të bërë mëngjesin e Ditës së Zgjedhjeve.
Trump pranoi se ky njoftim kishte edhe karakter politik, duke iu referuar garës së rëndësishme për Senatin në shtetin e Miçiganit, mes demokratit Abdul El-Sayed dhe republikanit Mike Rogers. “Pse duhet të përballemi me sulmet e të çmendurve si El-Sayed, kur ata nuk kanë nevojë për këtë ndihmë?”, tha Trump. “Është një argument politik që nuk na leverdis.” Sipas Trump, mbështetja përfshinte “pajisje dhe para”. Ai e përshkroi atë si ndihmë ushtarake, para në dorë ose “shkëmbim mallrash”. Presidenti tha se ai dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishin diskutuar prej vitesh për përfundimin e kësaj ndihme, duke shtuar se ishte vetë Netanyahu që e kishte ngritur këtë çështje, shkruan Fox News. “Ata nuk kanë nevojë për të”, tha Trump. “Izraeli është aleati ynë numër një. Ne u japim më shumë se kujtdo tjetër dhe ata nuk kanë më nevojë për këtë ndihmë.” “Izraeli është një vend që po lulëzon”, shtoi ai.
Marrëveshja aktuale e ndihmës së sigurisë mes SHBA-së dhe Izraelit parashikon rreth 3.8 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2028. Netanyahu ka deklaruar më parë se dëshiron ta reduktojë gradualisht varësinë e Izraelit nga ndihma ushtarake amerikane, megjithëse koha dhe kushtet e çdo ndryshimi të marrëveshjes nuk janë bërë ende të ditura. Trump tha se kjo ndihmë ishte kthyer në një objektiv politik, duke shtuar se Netanyahu e kuptonte se “kjo është një nga pikat që kundërshtarët e tyre përdorin”.
The post Donald Trump ndërpret ndihmën 4 mld dollarë për Izraelin: S’kanë më nevojë appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



