Rama: Nuk dorëzohem, s’e jap dorëheqjen! Një pakicë mendon se djegia…

Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat greke lidhur me protestat të javëve të fundit në Tiranë, duke deklaruar se qeveritë në një demokraci ndryshojnë përmes zgjedhjeve dhe jo përmes dhunës.
Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, Rama tha se ka dallim mes studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe grupeve të personave të maskuar, të cilët, sipas tij, përdorin dhunën gjatë protestave.
Artikulli i “Kathimerini”:
“Një pakicë mendon se djegia e vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”, shprehet Rama.
“Nuk kam pretenduar kurrë se gjithçka në Shqipëri është bërë siç duhet. Nuk mendoj se të rinjtë duhet thjesht të pranojnë atë që kemi arritur deri më sot. Shqetësimet e tyre lidhur me arsimin, koston e jetesës dhe mungesën e mundësive reale janë të bazuara dhe kërkojnë përgjigje thelbësore.
Buxheti i vitit 2027, të cilin do ta prezantojmë së shpejti, përfshin masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët. Paralelisht, kam ftuar studentë dhe pedagogë në një dialog të hapur. Jam i gatshëm të shqyrtoj çdo propozim serioz, edhe ato që vijnë nga persona që na kritikojnë ashpër”.
Megjithatë, Rama thekson se ekziston një vijë e qartë ndarëse mes studentëve që dëshirojnë një të ardhme më të mirë dhe grupeve të personave të maskuar, mes të cilëve, sipas tij, ka edhe individë të lidhur me lëvizjen Antifa, të cilët hedhin bomba molotov dhe sulmojnë objekte publike.
I pyetur për mundësinë e dorëheqjes përballë protestave, kryeministri u përgjigj:
“Jo. Në një demokraci, qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve, jo me bomba molotov. Populli shqiptar na dha një mandat të qartë vitin e kaluar dhe unë synoj ta zbatoj atë.
Çdokush mund të kërkojë dorëheqjen time, kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me forcë. Detyra ime është të dëgjoj ankesat e bazuara, të mbroj të drejtat e qytetarëve dhe të vazhdoj punën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Nuk do të shmangem nga kjo detyrë vetëm sepse një pakicë mendon se djegia e vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



