Fikrim Damka: "Do e votojmë pa kushte Qeverinë Kurti 4"

Fikrim Damka: "Do e votojmë pa kushte Qeverinë Kurti 4"

Fikrim Damka: "Do e votojmë pa kushte Qeverinë Kurti 4"

Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, ka deklaruar se dy deputetët e kësaj partie do ta mbështesin pa kushte formimin e Qeverisë Albin Kurti 4, duke theksuar se prioritet mbetet krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja.

Fikrim Damka ka deklaruar se deputetët e KDTP-së do të votojnë pa kushte për Qeverinë e re të Albin Kurtit, duke theksuar nevojën urgjente për institucione funksionale në Kosovë. “Ne si dy deputetë të Partisë Demokratike Turke do ta votojmë pa kushte Qeverinë Kurti 4. Besoj se shumë shpejt do të formohen institucionet, sepse Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale”, tha ai për Indeksonline.

Ai ka theksuar se KDTP-ja synon të vazhdojë bashkëqeverisjen me Lëvizjen Vetëvendosje, duke përmendur se në mandatin e kaluar, Fikrim Damka ushtronte detyrën e zëvendëskryeministrit. “Besoj se do të vazhdojmë të qeverisim bashkë dhe do të jemi pjesë e qeverisë”, u shpreh ai.

Në lidhje me mundësinë e mbajtjes së një posti ministror ose të vazhdimit si zëvendëskryeministër, Damka ka qartësuar se kjo nuk është kusht për votimin e qeverisë. “Nuk e kemi kusht të jem ministër apo zëvendëskryeministër. Për ne është e domosdoshme që të krijohen sa më shpejt institucionet. Jemi të gatshëm të japim mbështetjen tonë si deputetë të Partisë Demokratike Turke”, ka deklaruar ai.

Fikrim Damka ka bërë të ditur se ka kontakte të vazhdueshme me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke theksuar se kanë zhvilluar diskutime lidhur me formimin e qeverisë së re. “Kemi pasur një takim të shkurtër ku kemi biseduar për nevojën që qeveria të formohet sa më shpejt dhe të japim mbështetjen tonë. Nuk kemi folur për pozita, pasi për ne më e rëndësishme është të jemi përkrahës të Qeverisë Kurti”, ka thënë ai.

Në fund, Damka ka bërë thirrje partive politike që të tejkalojnë bllokadën aktuale dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës politike. “Partitë politike duhet të gjejnë një rrugëdalje nga kriza në të cilën ndodhet Kosova. Bllokadat politike dhe institucionale po e dëmtojnë vendin dhe qytetarët. Besoj se edhe opozita do të reflektojë dhe se do të arrihet një marrëveshje për krijimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, partitë e komuniteteve joshumicë ndajnë të njëjtin qëndrim, duke theksuar se qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta dhe vonesat në formimin e institucioneve. “Partitë minoritare besoj që të gjithë do të jenë me mendimin tim. Sepse ne si komunitet jemi lodh dhe populli jonë është lodhur nga zgjedhjet dhe moskrijimin e institucioneve. Besoj që të gjithë bartësit e komunietetve janë me këtë mendim”, ka thënë Fikrim Damka.

Me pak fjalë

Kryetari i KDTP-së, Fikrim Damka, ka deklaruar se deputetët e partisë do ta mbështesin pa kushte Qeverinë e re të Albin Kurtit, duke theksuar nevojën për formimin e shpejtë të institucioneve. Ai ka injoruar mundësinë e mbajtjes së një posti ministror ose zëvendëskryeministër, duke theksuar se prioriteti është krijimi i institucioneve funksionale. Damka ka bërë thirrje partive politike për të tejkaluar bllokadat aktuale dhe për të kontribuar në zgjidhjen e krizës politike në Kosovë.

Personat e përmendur


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.