Hapen për qarkullim 7.5 km të autostradës së Korridorit 8 – Elbasan-Qafë Thanë (VIDEO)

Hapen për qarkullim 7.5 km të autostradës së Korridorit 8 – Elbasan-Qafë Thanë (VIDEO)

Një tjetër pjesë e aksit Elbasan–Qafë Thanë është hapur për qarkullim, duke i dhënë shtysë projektit për zgjerimin dhe modernizimin e Korridorit VIII. Bëhet fjalë për një segment prej 7.5 kilometrash, i cili tashmë është i aksesueshëm për drejtuesit e automjeteve.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, njoftoi se segmenti i ri shtrihet nga dalja e fshatit Labinot-Fushë deri rreth 500 metra pas fshatit Mirakë.

Sipas ministrit, hapja e këtij segmenti pritet të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit dhe sigurisë rrugore, ndërsa njëkohësisht do të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe do të lehtësojë transportin e qytetarëve dhe mallrave.

Autostrada Elbasan–Qafë Thanë është pjesë e investimeve strategjike në Korridorin VIII, një arterie e rëndësishme që synon forcimin e lidhjeve të Shqipërisë me vendet e rajonit dhe rrjetin europian të transportit.

Në qershor të vitit 2024 ishte hapur për qarkullim edhe Loti i Parë i këtij aksi, nga Fushë-Labinoti në Mirakë, me një gjatësi prej 5.3 kilometrash.

Në përfundim, aksi Elbasan–Qafë Thanë parashikohet të shndërrohet në një rrugë interurbane me katër korsi, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjen e Elbasanit dhe Korçës me pjesën tjetër të vendit.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.