Haxhiu për premtimet e VV-së për shëndetësi: Dështim total në shëndetësi, Kurti as ‘qenin topall’ nga QKUK-ja nuk e largoi

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka komentuar premtimet e dhëna nga Vetëvendosje sa i pëket shëndetësisë dhe mos realizimin e tyre as për tri vite e gjysmë qeverisje. Ai thotë për Front Online se në katër vite legjislative, çdo here Ligji për Sigurim Shëndetësor është futur në agjendë, por asnjëherë nuk është sjellur në Kuvend […]

Haxhiu për premtimet e VV-së për shëndetësi: Dështim total në shëndetësi, Kurti as ‘qenin topall’ nga QKUK-ja nuk e largoi


Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka komentuar premtimet e dhëna nga Vetëvendosje sa i pëket shëndetësisë dhe mos realizimin e tyre as për tri vite e gjysmë qeverisje. Ai thotë për Front Online se në katër vite legjislative, çdo here Ligji për Sigurim Shëndetësor është futur në agjendë, por asnjëherë nuk është sjellur në Kuvend e nuk është miratuar në Qeveri.

‘’Në katër vite legjislative, çdo herë ligjin për sigurim shëndetësor e ka shti në agjendë e kurrë nuk e kanë sjellë në Kuvend e as në Qeveri nuk i ka miratu’’, thotë ai.

Haxhiu thotë se as rritja e numrit të qendrave për autizëm dhe Sindromën Down nuk ka ndodhur.

 ‘’Asgjë nuk kanë bërë, as për personat me autizëm, as për qendrat, as nuk kanë bërë rritje të stafit’’, deklaron ai.

Po ashtu Haxhiu deklaron se VV ka premtuar ulje të çmimit të barnave derisa ka vetëm ngritje të tyre.

‘’Kanë premtu ulje të çmimit të barnave e kemi rritje të tyre. Nuk punë veç fjalë e propagandë edhe për rritjen e qëndrave të shëndetit mendor’’, shton ai.

Për premtimin e VV-së se do të aplikojnë për anëtarësim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, deputeti Haxhiu thotë se lëre që nuk ka aplikim, por as nuk mendohet të adresohet.

‘’Jo që ska aplikim për OBSH, por ai është një prej premtimeve që nuk mendohet as me u adresu, e le me u anëtarësu’’ thekson ai për Front Online.

Për Haxhiun, në shëndetësi me këtë qeveri ka dështim total.

‘’Kanë premtu efikasitet, ne kemi përkeqësim, kemi rritje të listës së pritjeve për operacione, kemi mungesë të barnave esenciale, prej fashave e kanillave, e xhilpërave, dështim total në sektorin e shëndetësisë’’ potencon ai.

Madje deputeti i PDK-së, thotë se Kurti ka premtuar largimin e qenit të famshëm nga QKUK-ja, por as kjo nuk ka ndodhur

‘’Ka premtua me largu qenin nga oborri i QKUK-së, e ai qeni i ka sulmua nja tre mjek aty, as qat qen s’ka mujtë me i largu’’ deklaron ai.