Heqja e pllakës përkujtimore të Aleks Nikës, reagon xhaxhai: E dimë kush janë vrasësit, kërkojmë drejtësi

Heqja e pllakës përkujtimore të Aleks Nikës gjatë protestës së 25 tetorit në Tiranë ka rikthyer dhimbjen te familjarët e tij. Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, thotë se nuk e di se kush e ka hequr pllakën e vendosur në vendin ku nipi i tij u vra më 21 janar 2011, por thekson se familja kërkon që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Në një reagim për mediat, Mark Nika e cilësoi heqjen e pllakës si një tjetër goditje për familjen, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të përshpejtojë hetimet për vrasjen e 21 janarit.
“Këtu është vrarë Aleksi më 21 janar 2011 nga Garda e Republikës. Në shenjë kujtimi është vendosur një pllakë për të përkujtuar ditën e vrasjes. Sot nga mediat mësova se forca të errëta, nuk e di se kush, e kanë hequr pllakën që ta shuajnë këtë kujtim që kemi për Aleksin.
Por, ne e dimë kush janë vrasësit, SPAK po e heton çështjen dhe i bëjmë thirrje që vrasësit të shkojnë para drejtësisë dhe të mos bredhin sërish si në parlament, si jashtë saj. Është një ditë e rëndë për ne. Aleksi nuk kthehet më. Kur vinim në Tiranë, e kujtonim ku është vrarë dhe pse është vrarë.
Jam i bindur që do ta riparojë qeveria dhe i bëjmë thirrje SPAK-ut që ta hetojë sa më shpejt dhe këto vrasje të mos i kemi sërish nëpër këmbë për të na krijuar dëme morale”, deklaroi Mark Nika.
Sipas tij, heqja e pllakës përkujtimore është një tjetër dhimbje për familjen, e cila prej vitit 2011 pret drejtësi për vrasjen e Aleks Nikës, një prej viktimave të protestës së 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
The post Heqja e pllakës përkujtimore të Aleks Nikës, reagon xhaxhai: E dimë kush janë vrasësit, kërkojmë drejtësi appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



