Hetim për terrorizëm ndërkombëtar, e mitura shqiptare në Itali publikonte materiale të ISIS-it në TikTok

Hetim për terrorizëm ndërkombëtar, e mitura shqiptare në Itali publikonte materiale të ISIS-it në TikTok

Një e mitur me origjinë shqiptare, banuese në zonën e Raguzës, është vendosur në një qendër komunitare me urdhër të Gjykatës për të Mitur të Katanias.

Masa e sigurisë u ekzekutua nga Policia e Shtetit në Raguzë, në kuadër të një hetimi për veprat penale të vetëtrajnimimit dhe apologjisë së terrorizmit, përfshirë terrorizmin ndërkombëtar.

Hetimet nisën pas një sinjalizimi nga AISI, Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë së Brendshme të Italisë, dhe u kryen nga Digos, njësia e policisë që merret me hetimin e krimeve politike dhe terrorizmit, edhe përmes verifikimeve në mjedisin shkollor.

Hetuesit dyshohet se kanë konstatuar ndryshime në sjelljen e vajzës, e cila thuhet se kishte kufizuar rrethin e saj shoqëror.

E mitura kishte rënë në vëmendjen e autoriteteve pas publikimit në TikTok të përmbajtjeve me karakter xhihadist.

Në majin e kaluar, asaj iu krye një kontroll në banesë dhe iu sekuestrua pajisja elektronike.

Nga analizimi i telefonit celular, sipas hetimeve, janë zbuluar video propagandistike që lidhen me Shtetin Islamik (ISIS) dhe organizata të tjera xhihadiste, pamje të ekzekutimit të të burgosurve, materiale që justifikonin veprimtarinë e organizatës terroriste Daesh, si dhe manuale për vetëtrajnim dhe për prodhimin e lëndëve shpërthyese artizanale.

Verifikimet teknike, të kryera nga personel i specializuar i Drejtorisë Qendrore të Policisë për Parandalimin e Krimeve, dyshohet se kanë zbuluar gjithashtu përmbajtje të lidhura me radikalizmin e dhunshëm dhe antisemitizmin, referenca ndaj simboleve të ekstremit të djathtë, si dhe imazhe që me gjasë janë krijuar me anë të mjeteve të inteligjencës artificiale.

Gjatë hetimit, dyshohet se janë identifikuar edhe kontakte në internet me persona që pretendonin se i përkisnin Shtetit Islamik, si dhe me përdorues që promovonin akte terroriste.

The post Hetim për terrorizëm ndërkombëtar, e mitura shqiptare në Itali publikonte materiale të ISIS-it në TikTok appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.