Imuniteti i guvernatorit kalon me 84 vota, gazetarja Eksiola Shehu tregon prapaskenat e seancës

Imuniteti i guvernatorit kalon me 84 vota, gazetarja Eksiola Shehu tregon prapaskenat e seancës

Gazetarja Eksiola Shehu ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Now me Erla Mëhillin”, ku shpjegoi se si Partia Socialiste arriti të siguronte 84 votat për ndryshimet në ligjin për Bankën e Shqipërisë, gjatë një seancë plenare të shoqëruar nga tensionet dhe protestat e opozitës.

Sipas gazetares, prania e deputetëve socialistë në seancë dhe mbështetja e tre deputetëve të Partisë Socialdemokrate bënë të mundur sigurimin e 84 votave.

“Ne fakt, ishim lajmëruar edhe ne gazetarët që nuk do të ishte një seancë e qetë. Nisur edhe nga protestat në vend, dukej se ishte përgatitur një skenar nga opozita për të mos lejuar një seancë normale me diskutimet e rendit të ditës. Në këto kushte, socialistët thuajse në pjesën më të madhe ishin të pranishëm. Duke marrë parasysh faktin se vetëm projektligji për ndryshimet në ligjin për Bankën e Shqipërisë kërkonte shumicën e cilësuar prej 84 votash, socialistët ishin aty për të votuar këto ndryshime, me vetëm një mungesë, ndërsa krah tyre ishin edhe tre deputetë të Partisë Socialdemokrate. Gjatë punimeve në komisionet parlamentare janë diskutuar ndryshimet në ligjin për Bankën e Shqipërisë. Këto ndryshime janë hartuar në kuadër të përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Gazetarja shpjegoi se ndryshimet e miratuara parashikojnë mbrojtje ligjore për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, duke përcaktuar se, kur procedimi lidhet me ushtrimin e funksionit të tij, vendosja e masës së arrestit apo kontrolli i banesës ose personal kërkon autorizimin paraprak të Kuvendit.

“Në këtë mënyrë, guvernatorit të Bankës së Shqipërisë i jepet imunitet dhe, sipas ndryshimeve të votuara sot me 84 vota, nuk mund të vendoset masë arresti apo kontroll banese ose personal ndaj guvernatorit pa autorizimin paraprak të Parlamentit të Shqipërisë, gjithmonë kur procedimi lidhet me ushtrimin e funksionit të tij”, tha gazetarja.

The post Imuniteti i guvernatorit kalon me 84 vota, gazetarja Eksiola Shehu tregon prapaskenat e seancës appeared first on Euronews Albania.


Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.