Incidenti ndaj Nunciaturës Apostolike, Ministria e Jashtme: Autorët të identifikohen dhe të përgjigjen përpara ligjit

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka dënuar aktet e ndodhura dje në selinë e Nunciaturës Apostolike në Tiranë. Minsitria njofton se gjate tubimit ka pasur akte vandalizmi, përfshirë heqjen e flamurit të Selisë së Shenjtë.
Në deklaratën e saj, ministria thekson se respektimi i paprekshmërisë së përfaqësive diplomatike është një detyrim që buron nga legjislacioni shqiptar dhe e drejta ndërkombëtare.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon aktet e vandalizmit të ushtruara dje tek selia e Nunciaturës Apostolike në Tiranë, përfshirë heqjen e flamurit të Selisë së Shenjtë.
Respektimi i paprekshmërisë dhe dinjitetit të përfaqësive diplomatike është një detyrim themelor, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Duke njohur të drejtën për protestë si pjesë të pandashme të një shoqërie demokratike, ministria kërkon që ushtrimi i saj të përjashtojë dhunën dhe vandalizmin. Ajo bën thirrje për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
“E drejta për të protestuar është pjesë e pandashme e një shoqërie demokratike, por ushtrimi i saj duhet të respektojë ligjin dhe të përjashtojë çdo formë dhune apo vandalizmi. Autorët e akteve të paligjshme duhet të identifikohen dhe të përgjigjen përpara ligjit”, thekson ministria.
Në përfundim, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vlerëson reagimin e Policisë së Shtetit dhe shpreh besimin se ngjarja do të zbardhet plotësisht, ndërsa do të garantohet siguria e përfaqësive diplomatike në vend.
“Ministria vlerëson reagimin e Policisë së Shtetit dhe shpreh besimin se institucionet kompetente do të zbardhin plotësisht ngjarjen dhe së bashku me institucionet e përfshira, do të garantojë sigurinë dhe paprekshmërinë e të gjitha përfaqësive diplomatike në Shqipëri”, përfundon deklarata.
The post Incidenti ndaj Nunciaturës Apostolike, Ministria e Jashtme: Autorët të identifikohen dhe të përgjigjen përpara ligjit appeared first on Euronews Albania.
Burimi i lajmit: euronews.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



