“Ish-krerët e UÇK të shpallen të pafajshëm”, Berisha: Nuk ka asnjë provë kundër tyre

Kryetari i PD, Sali Berisha e cilëson akuzën e prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së si “pamflet” propagandistikë të nacionalistëve serbë. Kreu i demokratëve në një deklaratë për emisionin “Opinion”, theksoi se pavarësisht hetimeve disa vjeçare ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit,  gjykata nuk ka mundur të […]

“Ish-krerët e UÇK të shpallen të pafajshëm”, Berisha: Nuk ka asnjë provë kundër tyre

Kryetari i PD, Sali Berisha e cilëson akuzën e prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së si “pamflet” propagandistikë të nacionalistëve serbë.

Kreu i demokratëve në një deklaratë për emisionin “Opinion”, theksoi se pavarësisht hetimeve disa vjeçare ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit,  gjykata nuk ka mundur të paraqesë prova konkrete për të vërtetuar akuzat ndaj tyre.

Lideri i demokratëve thotë se ish-krerët e UÇK-së me veprimet e tyre kanë shpëtuar mijëra jetë të qytetarëve të Kosovës.

Berisha u ka bërë thirrje gjyqtarëve që të mos vijojnë me akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe të shpallë pafajësinë e tyre e t’i rikthejnë ata në shtëpitë e tyre në Kosovë.

Kujtojmë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.