Kallëzim penal ndaj një drejtori të një ndërmarrje në Maqedoninë e Veriut

  • Ndaje
Kallëzim penal ndaj një drejtori të një ndërmarrje në Maqedoninë e Veriut

Në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup sot është dorëzuar kallëzim penal kundër drejtorit të Ndërmarrjes Publike „Pyjet Kombëtare“, Zdravko Trajanov, pasi punonjësit janë ankuar se për regresin e pushimit vjetor (K-15) u është ofruar dru zjarri në vend të kompensimit financiar.

Në kallëzimin e dorëzuar, sindikata ngre dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe shkelje të të drejtave nga marrëdhënia e punës, duke kërkuar nga organet e hetuesisë të verifikojnë procedurën e zbatuar për pagesën e regresit dhe të përcaktojnë përgjegjësinë ligjore të udhëheqësisë.

Ky veprim pason denoncimin e bërë një ditë më parë nga partia E Majta, e cila publikoi një formular me të cilin kërkohej nga punëtorët të nënshkruanin nën përgjegjësi materiale dhe penale pëlqimin që shuma prej 13.670 denarësh t’u zëvendësohej me lëndë djegëse, me ç’rast kjo parti kërkoi mbikëqyrje të jashtëzakonshme nga Inspektoriati Shtetëror i Punës.

Ndërkohë që propozime të ngjashme për kompensim me dru zjarri janë ofruar edhe për regresin e viteve 2023, 2024 dhe 2025 – për të cilat ndërmarrja në muajin prill kishte deklaruar se nuk kishte pasur vendim obligativ – nga Ndërmarrja Publike „Pyjet Kombëtare“ deri më tani nuk ka ndonjë reagim zyrtar lidhur me kallëzimin e ri penal.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.